Të dhënat elektronike, në dorën e njeriut të PDK-së

PDK

Të dhënat elektronike të zyrtarëve institucionalë do të jenë në dorën e një prej njerëzve të Partisë Demokratike edhe për tre vjet. Kjo, për shkakun se pak përpara se t’i linte zyrat qeveria e kaluar e dominuar nga e njëjta parti, kishte nxjerrë vendimin për t’ia siguruar atij edhe mandatin e tretë radhazi.

Bëhet fjalë për Kujtim Gashin, i cili prej shtatë vjetësh e drejton Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Në dhjetor të 2013-s ishte zgjedhur në këtë pozitë, kur qeveria drejtohej nga Hashim Thaçi, atëkohë kryetar i PDK-së. Gashi ishte në këtë detyrë edhe më 2017-n, kur PDK-ja e kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Kamenicës. Nuk kishte mundur të zgjidhej, prandaj i ishte kthyer funksionit në Agjenci si drejtor i përgjithshëm.

Mandatin e tretë e ka siguruar në janar.

Reklama e sponzorizuar

“Z. Kujtim Gashit i vazhdohet mandati i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit, edhe për 3 (tre) vjet”, thuhet në vendimin e firmosur nga Ramush Haradinaj, disa muaj pasi kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. “Z. Gashi kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”.

Për zbatimin e vendimit ishte obliguar Ministria e Administratës Publike, në kuadër të së cilës funksionon Agjencia. Vendimi kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit. E, firmën Haradinaj e kishte vënë në dokument më 22 janar.

Në Qeverinë e cila drejtohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, prej një jave nuk kanë treguar nëse ky vendim do të rishikohet. Kurti kishte dhënë zotimin se do ta shqyrtonte gjithë vendimmarrjen e Haradinajt, që ishte bërë prej kur kishte dhënë dorëheqje.