Në 71-vjetorin e NATO-s, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosovës do t’i përshpejtohej integrimi në këtë organizatë përmes arritjes së marrëveshjes për njohje mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se roli i NATO-s dhe domethënia e saj për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor është i njohur më mirë se kudo tjetër te populli i Kosovës.
“Falë bashkëpunimit dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, i është dhënë fund dhunës sistematike ndaj popullit shqiptar nga ana e regjimit të Millosheviçit. Jemi mirënjohës ndaj vendeve anëtare të NATO-s, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin dhe kontributin e tyre historik për lirinë dhe rrethanat e reja që kanë krijuar për popullin tonë”, ka shkruar ai.
“Aspirata jonë e përhershme drejt NATO-s vazhdon të na drejtojë edhe sot dhe jemi duke u angazhuar maksimalisht që, sa më parë, Republika e Kosovës të bëhet pjesë e saj. Arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një hap i nevojshëm që përshpejton agjendën tonë integruese në NATO dhe OKB. Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka përfunduar Thaçi.