Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nis sot konsultat me kryetarët e partive politike rreth hapave të ardhshëm, pas rrëzimit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, përmes një mocioni mosbesimi në Kuvend, javën e kaluar.
Sipas zyrës së Thaçit, ftesat i janë dërguar të gjitha partive parlamentare dhe të gjitha e kanë pranuar ftesën për takime.
“Ftesa u është dërguar të gjitha subjekteve politike parlamentare, ku janë ftuar liderët e partive parlamentare për konsultime nesër dhe pasnesër”, është thënë të mërkuren mbrëma nga zyra e Presidentit.
Ndryshe prej deklaratave të dhëna në LVV, kryeministri në detyrë Kurti megjithatë e ka konfirmuar se do t’i përgjigjet ftesës së Thaçit. Në emisionin DESKU në KTV ai ka thënë se konfirmimi i tij vjen me sugjerimin e këshilltarëve të tij dhe se në takim do të shkoj si kryeministër në detyrë, raporton KOHA.
“Do të shkoj si kryeministër në detyrë që ta paraqes në hollësi qëndrimin tim, duke mos e konsideruar si konsultim për qeveri, meqenëse ai do të ishte një lloj shkeljeje e Kushtetutës, sepse s’jemi në situatë paszgjedhore”, ka thënë Kurti.
Sipas zyres së Thaçit, takimi i parë do të mbahet sot në orën 10:00 me Kurtin. Në orën 10:30, Thaçi do ta takojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kurse në 11:00 atë të PDK-së, Kadri Veseli.
Ndërkohë, të enjten, presidenti Thaçi do t’i presë në takime të ndara konsultative kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në orën 10:00, kryetarin e Listës Serbe në orën 10:30, kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj në orën 11:00 dhe përfaqësuesit e Grupit 6 Plus në orën 11:30.