Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të miratojnë një pako të veprimeve ekonomike dhe financiare që i ndihmojnë ndërmarrësit privatë.
Përmes një konference për media pas takimit me krerët e odave ekonomike, ai ka thënë se PDK do të marrë hapa konkret rreth situatës.
Sipas tij hapat të cilët i ka marrë Qeveria nuk janë të mjaftueshëm.
“Sot kam takuar krerët e odave ekonomike të Kosovës. Shqetësimet e mbi 70 mijë ndërmarrësve janë të thella rreth 280 mijë punëtorë privat të po rrezikohen, po rrezikohet veprimtaria ekonomike e tyre. PDK do të ndërmarrë hapa konkret rreth situatës. Hapat të cilat i ka marrë Qeveria e Kosovës nuk janë të mjaftueshëm sepse janë shumë sipërfaqësor, nuk i kanë përcjellë kërkesat e sektorit privat dhe veprimet që i ka marrë qeveria dhe kryeministri janë të jashtëligjshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, PDK do të ndërmarrë iniciativë, për seancë të jashtëzakonshme përmes së cilës do të miratojnë një pako të veprimeve ekonomike dhe financiare që i ndihmojnë këtyre ndërmarrësve.
“Javën e ardhshme do të kemi seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet me kërkesë të PDK-së”, thuhet në njoftim.