Vuçiq: Nëse ndokush mendon ta marrë fizikisht Vallaçin dhe Ujmanin, e lus të mos e bëjë

“Nëse ndokush mendon se ka ardhur koha që dikush t’i marrë fizikisht Vallaçin dhe Ujmanin, unë e lus të mos e bëjë këtë”. Kështu është shprehur sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para gazetarëve me rastin e inaugurimit të Qendrës Ushtarake-Mjekësore “Karaburma” në Beograd, raporton portali KoSSev në gjuhën serbe në Mitrovicën e veriut, transmeton Koha.net.

Ky është reagimi i parë zyrtar i palës serbe pas tri ditësh nga votimi të hënën në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit Transmetues (ENTSO) në bazë të të cilit Operatori i Sistemit Transmetues i Kosovës (KOST) mund të funksionojë i pavarur, që është përgëzuar nga zyrtarët më të lartë të Kosovës si dhe nga ata të Evropës, ndër të cilët nga Ambasada e Gjermanisë, e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Vuçiq ka thënë se “Unë qëllimisht këto ditë nuk ka dashur të flas për këtë dhe rreth asaj çfarë ka bërë ENTSO dhe gjithë të tjerët. Do të merremi me këtë dhe po merremi, por do të merremi edhe publikisht, ndërsa nesër në lidhje me këtë do të bisedoj edhe me përfaqësuesit evropianë”.

Reklama e sponzorizuar

KOSTT, sipas tij, deri tash ka funksionuar në kuadër të sistemit rregullator të Serbisë (EMS) në bllokun SMM (Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut)ndërsa siç pritet ai del nga ky sistem dhe i bashkohet bllokut me operatorin shqiptar të sistemit transmetues OST.

Serbia deri tash ka kundërshtuar pranimin e KOSTT-it në Rrjetin Evropian të Sistemit Transmetues. Por, njëherësh në pikën 10 të Konkluzioneve të ndërmjetësit të BE-së në zbatimin e Marrëveshjes për energjinë – Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, parashihet që KOSTT të bëhet anëtare e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemeve Transmetuese të Energjisë Elektrike (ENTSO).

Por, siç raportohet, Vuçiq kishte tërhequr vërejtjen që Serbia “nuk do të zbatojë vendimet e tyre”, transmeton Koha.net.