72 të shëruar në Ferizaj, Komuna më e prekur me COVID-19

Komuna e Ferizajt ka numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 me 98 deri më tash. Mirëpo, së fundmi kjo komunë ka nisur të marrë frymë më lirshëm, pasi 72 persona janë shëruar e 26 të tjerë mbetën raste aktive.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në një intervistë për KP-në, deklaroi se përpos numrit të madh të të shëruarve, tjetër lajm i mirë është se edhe personat të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, kanë rezultuar negativë.

“Tashmë të konfirmuar i kemi 72 raste që konsiderohen të shëruar pas dy testeve negative që u janë bërë. Kanë mbetur edhe 26 raste të cilat janë me COVID-19 në komunën e Ferizajt, por ditëve në vijim kur të plotësohet kushti prej 14-ditëshit të zakonshëm, do t’u bëhen testet e para e më pas edhe të dyta për t’u konstatuar sipas protokollit të OBSH-së dhe IKSHPK-së si të shëruar. Praktikisht mbyllet cikli i të shëruarve dhe situata mund të konsiderohet si e fituar me COVID-19”, deklaroi Aliu.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm pak ditë më parë, Ferizajt iu hoq masa e karantimit, ndërsa kjo u pasua me lehtësimin e masave gjë kjo e cila u keqkuptua nga qytetarët të cilët dolën në masë të madhe në rrugë, tregon i pari i Ferizajt.

“Sigurisht edhe si rezultat i masës së lehtësisë u krijua një keqkuptim sikurse gjithçka të jetë e lirë në kuptimin e daljes, prandaj edhe mbrëmë, edhe sot pas mbledhjes së Shtabit Emergjent të Komunës së Ferizajt, kemi apeluar që Policia, por edhe qytetarët të kryejnë veprimet të cilat janë në përputhje me masat e lehtësimit, pra që qytetarët të kufizohen në dy herë nga një orë e gjysmë, meqë e kanë në dispozicion për të shfrytëzuar daljen e tyre dhe të shmangin daljet e panevojshme”, u shpreh Aliu.

Lehtësimin e masave, Aliu e sheh pozitive edhe për ekonominë e vendit.

Sipas tij, inspektorët tashmë janë në terren për të monitoruar nëse bizneset janë duke i respektuar të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ushtrimin e veprimtarive të tyre.