N. M., babai i 26-vjeçarit nga Gjilani, i cili u hodh nga kati i pestë i konviktit në Qendrën e Studentëve ku po qëndronte në karantinë, ka rrëfyer për transmetuesin publik ngjarjen që pas kthimit të të birit nga Gjermania.
Ai ka thënë se edhe me gjithë insistimin e tij që ta dëshmonte se djali i tij vuante nga një sëmundje në veshka, kjo në Aeroportin e Prishtinës nuk ishte marrë parasysh.
Ai deklaron se nuk u lejua ta takonte të birin që pas kthimit të tij, as në aeroport e as në Qendrën e Studentëve. Thotë se i biri në vazhdimësi kishte pasur stres.
“Në aeroport kam qenë duke e pritur unë me shumë prind të tjerë. Tentova me një dokument të dëshmojë se ka pas probleme para se me shku në Gjermani, nga bubrekët (veshkave v.j.), duke iu treguar se ka stres, këta në aeroport as se kanë marrë parasysh”, ka thënë ai.
Ai thotë se kthimin e tij nga Gjermania, ku po qëndronte si student në magjistraturë, e kishin mundësuar kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beq Cufaj.
Babai i viktimës ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për vdekjen e djalit.
Lutfi Haziri ka konfirmuar se komuna që udhëheq kishte ndihmuar në kthimin e 26-vjeçarit. Ai përmes një konference, të hënën, ka thënë se kthimi i tij është bërë me kërkesën e komunës.
“Kthimi i 26-vjeçarit është bërë me kërkesën e komunës së Gjilanit. Ne kemi kryer të gjitha procedurat që na janë kërkuar nga Ambasada e Kosovës në Gjermani dhe më pas kur ka mbërritur në Prishtinë, i është nënshtruar rregullave të Prishtinës. Ne do t’i qëndrojmë pranë familjes. Kërkojmë të zbardhet rasti”, ka thënë ai.
Sot, gjatë ditës ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka kërkuar nga Prokuroria ta ketë në prioritet vdekjen e 26-vjeçarit. Ka shtuar se ka kërkuar raport nga të gjitha institucionet, që nga ardhja e 26-vjeçarit në Kosovë e deri në ditën kritike.
Prokuroria, ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet për këtë rast.
Lidhur me ngjarjen tragjike, reagime të shumta ka pasur edhe nga institucionet dhe liderët e partive.