“Contour Global” ia kërkon Qeverisë mbi 20 milionë euro si kompenzim për shpenzime

Mbi 20 milionë euro ia ka kërkuar “Contour Global” Qeverisë së Kosovës si kompenzim për shpenzimet e projektit përmes një letre të 24 majit, në të cilën në të njëjtën kohë e ka lajmëruar për shkëputjen e kontratës.

Këtë e ka bërë të ditur ministria e Ekonimisë përmes një postimi në Facebook.

Në të shkruhet se letra e “Contour Global” ishte pranuar të dielen, më 24 maj.

Reklama e sponzorizuar

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit”, shkruhet në të.

Ministria në të njëjtën kohë ka bërë të ditur se para se drejtuesit e kësaj kompanie ta përgatisnin letrën, ministrja Hajdari i kishte ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

“Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, Contour Global ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën”, shkruhet më tutje.

Hajdari, si është bërë e ditur, tashmë i ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin.

“Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar”, është bërë e ditur.