Ekonomia e Bashkimit Europian do të tkurret me një rekord 7.5% këtë vit, paralajmëroi Komisioni Europian të mërkurën, dhe rënia mund të jetë edhe më e shpejtë në të 19 vendet që përdorin euron.
Është një rënie shumë më e shpejtë sesa ajo që Eurozona pësoi pas krizës globale financiare të vitit 2008 dhe një perspektivë më pesimiste sesa parashikimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vetëm tre javë më parë.
Çmimet e konsumatorit pritet të bien ndjeshëm, ndërsa shpenzimet për masat e lehtësimit të koronavirusit do të shtyjnë deficitet e qeverive evropiane nga vetëm 0.6% e PBB-së në 2019 në rreth 8.5% këtë vit.
Komisioni parashikon që papunësia e BE-së do të rritet nga 6.7% në 2019 në 9% këtë vit.
“Europa po përjeton një tronditje ekonomike të pa precedentë që nga Depresioni i Madh. Si thellësia e recesionit ashtu edhe forca e rimëkëmbjes do të jenë të pabarabartë, e kushtëzuar nga shpejtësia me të cilën mund të hiqen bllokimet, rëndësia e shërbimeve si turizmi në secilën ekonomi dhe nga burimet financiare të secilit vend”, tha komisioneri i ekonomisë së BE, Paolo Gentiloni në një deklaratë.
Goditja mund të jetë edhe më e keqe se parashikimi, sipas zyrtarëve të BE-së, të cilët paralajmëruan se “një pandemi më e rëndë dhe më e gjatë se sa parashikohej aktualisht mund të shkaktojë një rënie shumë më të madhe të PBB-së sesa supozohej”.
Ajo që është e nevojshme, thanë ata, është një “strategji e fortë dhe e përkohshme e rimëkëmbjes” në nivelin e Bashkimit Europian për të shmangur “shtrembërime të rënda” brenda bllokut të madh tregtar.
Drejtuesit e BE kanë nënshkruar masat e menjëhershme të shpëtimit me vlerë të paktën 500 miliardë euro të hartuara nga ministrat e financave. Kjo paketë përfshin subvencione pagash që synojnë parandalimin e humbjeve të punës në masë, si dhe kredi për bizneset.
Por ndarjet e thella midis vendeve anëtare kanë ndalur zyrtarët e BE-së të bëjnë përparime të shpejta në një fond më të madh të rimëkëmbjes që Komisioni Europian shpreson se mund të mbledhin të paktën 1 trilion euro për të rindërtuar ekonomitë rajonale të shkatërruara nga pandemia./CNN