Pronarët e bizneseve të vogla në Greqi kanë paralajmëruar për ndikimin afatgjatë të bllokadës së coronavirusit dhe deklarojnë se nuk do të jenë në gjendje të rikuperojnë humbjet, pavarësisht masave të qeverisë për lehtësimin e presionit financiar.
Qeveria greke, sikurse qeveri të tjera të Evropës, vendosi masa që synojnë ndihmën e biznesit gjatë bllokadës kombëtare.
“Sigurisht që do të ketë më pak turne sepse stafi prej 7 personash nuk mund të punojë me gjysmën e lokalit hapur, ose me gjysmën e tryezave. Mendoj se do t’i ndajmë turnet me kolegët dhe do të punojmë të gjithë nga pak, në mënyrë që si lokali edhe ne të vazhdojmë”, shprehet George Sakkas, kamarier.
Në Francë, teksa vendi bëhet gati për lehtësimin e masave, punëtorët në industrinë e restoranteve po bëhen gati për periudhën post-bllokadës.
Christian Etchebest, 50 vjeç, është pronar dhe kuzhinier i një restoranti në Paris. Ai thotë se është gati të zbatojë masat e kërkuara, në mënyrë që t’i kthehet normalitetit.
“Jam gati të përmbush të gjitha masat e kërkuara sapo restorantet të hapen. Sepse unë dua të punoj, dua të rifilloj jetën. Do të bëj gjithçka që mundem për të rigjallëruar restorantin tim. Jam i vetëdijshëm se do të kemi 40 deri në 50 për qind më pak punë dhe do reduktojmë numrin e punonjësve”, thotë ai.
Edhe në Spanjë, ku qytetarët po planifikojnë daljen nga një prej bllokadave më të serta, shumë njerëz nuk do të mund të rikthehen në vendet e punës. Spanja nuk përbën përjashtim, miliona punëtorëve u është dhënë leja që kur bllokada u vendos në mes të marsit.
“Edhe nëse autoritetet i bëjnë si duhet gjërat për të mbrojtur industrinë e mikpritjes, ne parashikojmë mbylljen e 25 për qind të bareve dhe restoranteve në Barcelonë në 12 muajt e ardhshëm, derisa turizmi të rikuperohet, që nuk presim të ndodhë përpara javës së shenjtë të vitit të ardhshëm”, deklaron Roger Pallarols, drejtor i Shoqatës së Restoranteve të Barcelonës.
Më 2 prill, Ministria e Punës në Spanjë deklaroi se rreth 900 mijë punëtorë kishin humbur punën e tyre që kur autoritetet kishin urdhëruar izolimin dhe mbyllur industritë më 14 mars. Numri pritet të jetë rritur ndjeshëm që prej atëherë.