Gashi: PDK-ja s’e voton qeverinë e re, për bashkëpunim me VV-në është herët të flitet

Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi edhe një herë se kjo parti s’do t’i jep votat për qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin.

“Nuk do ta votojmë këtë qeveri të LDK-së me partitë tjera, sepse nuk dallojnë nga njëra-tjetra e as nga qeverisja e kaluar”, u shpreh Gashi.

Deputeti Gashi shtoi se PDK-ja do të vazhdojë të jetë parti opozitare.

Reklama e sponzorizuar

“Do të jemi opozitë dhe sa herë që kjo qeveri vepron në kundërshtim me interesat e qytetarëve do ta kritikojmë. Jemi të qartë, i kemi veprimet e qarta. Atë ditë që votohet qeveria Hoti PDK-ja do të votojë kundër. Më e mirë do të ishte të kishte zgjedhje, por ne do të respektojmë vendimin e Kushtetueses”, u shpreh Gashi në “Desku” të KTV-së.

Gashi tha se “VV-ja do t’i kthehet zanatit të vjetër, sepse është dëshmuar si opozitë”.

“Jemi të përgatitur për ta luajtur rolin opozitar. Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit, në asnjë rrethanë s’kemi vënë vija të kuqe për subjekte parlamentare. Ishte VV-ja e disa parti që vendosën vija të kuqe dhe kjo ka dëmtuar mundësinë e bashkëpunimit”, u shpreh Gashi.

Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje si parti opozitare, Gashi tha se është herët të flitet. “Është herët për mundësi të bashkëpunimit, të paktën për një periudhë. Por ndërkohë i shohim mundësitë”, tha ai.

Ndërkohë, Hajrulla Çeku tha se PDK-ja ishte arsyeja kryesore pse iu fut politikës. Ai tha se bashkëpunimi me PDK-në, nëse pyetet ai, nuk do të ndodhte kurrë.

“Ky është mendimi im, por nuk është koha të flitet për këtë çështje”, tha Çeku.

Krasniqi e vë në pikëpyetje funksionimin e qeverisë së re

Sipas gazetari Besnik Krasniqi, formimi i qeverisë Hoti do të jetë në rrezik për shkak se nuk i ka votat e sigurta.

Sipas tij, janë 54 deputetë VV dhe PDK- që s’i japin votat, 4 deputetë nga LDK që janë deklaruar kundër, 1 nga radhët e komuniteteve, dhe 2 të AKR-së në opozitë por që e kanë deklaruar votën.

“Do të jetë qeveri e pakicës”, u shpreh Krasniqi.

Por, Gashi i PDK-së tha se sapo të nis punën qeveria e re, do të nisin hapat për ta rrëzuar.

“PDK-ja s’do ta pret momentin për rrëzimin e qeverisë. Në hapat e parë do të ndërmarrim hapa për ta rrëzuar qeverinë, është qeveri e mashtrimit”, u shpreh ai.

Çeku: Diskursi banal, arma e vetme e presidentit

Deputeti Hajrulla Çeku i ka cilësuar vazhdimësi e diskursit banal, akuzat e presidentit Hashim Thaçi për kryeministrinë në detyrë Albin Kurti dhe VV-në.

“Këtë po e përdor presidenti si të vetmin armatim për ta kundërshtuar VV-në, jo vetëm që ka tejkalim të gjuhës institucionale, ka edhe një lloj brutaliteti të ushtrimit të funksionit shtetëror. Përveç që i tejkalon autorizimet, ka edhe presion edhe kapje të shtetit”, ka thënë Çeku në “Deskun” e KOHËS.

Ai është pyetur edhe nëse Kurti dhe VV-ja do të lirojnë zyrat e qeverisë në momentin kur të formohet ajo e reja me Avdullah Hotin në krye. Sipas tij, pushteti me çdo kusht nuk është qëllimi i VV-së.

Ka folur edhe për deklaratën e Isa Mustafës, që tha se shpreson që VV-ja të bëjë tranzicion të qetë të pushtetit, e jo, siç tha ai, si në vendet afrikane.

“Zyrat janë objekte, janë çështje e përmbajtjes fizike, jo konceptuale. Po ashtu, kjo deklaratë e Mustafës me tone raciste duhet me u dënu, pasi merr krahasime të tilla. Shihet një ngutje, apetiti të pashuar për pushtet. VV-ja nuk e ka apetit, sepse pushtetin s’e ka qëllim, qëllimin e ka përtej pushtetit, pushtetin e shohim si mjet që do të na ndihmojë në arritjen e idealeve dhe synimeve për të mirën demokratike”, ka thënë ai.

Gashi: Akuzat ndaj Thaçit erdhën nga zyrtarë të veshur me petkun qeveritar

Sipas Kujtim Gashit të PDK-së, marrëdhënia e kësaj partie me presidentin Hashim Thaçi “është vetëm zyrtare”.

“Pa dyshim se ai ka bashkëpunëtor në PDK, por PDK-ja e ka liderin e saj”, u shpreh ai.

Akuzat e Thaçit me qeverinë në detyrë, Gashi nuk i vlerëson të mira por thotë se akuzat erdhën “nga zyrtarë me petkun qeveritar”.

“Nuk janë të reja sepse kanë prapavijë të vjetër kur Thaçi ishte kryetar i PDK-së e edhe kryeministër i Kosovës, që atëherë e kanë bazën. Nuk është mirë për Kosovën të ketë akuza të tilla por kjo rrjedhi nga zyrtarë të veshur me petkun qeveritar. Normal, ai është njeri dhe nuk mund të rri duarkryq”, tha Gashi në DESKU të Kohavisionit.

Sipas Gashit, ka qenë fakt “përgjimi në Telekom”.

“Veprimi i Sveçlës nuk ishte i pari. Është fakt. Kemi tërhequr vërejtjen se ka dyshime për diçka të tillë dhe kemi bërë thirrje nga organet ta hulumtojë. Ne nuk mund të ndërhyjmë as në gjyqësor as në polici”, u shpreh Gashi.

Gashi: Për gjendjen aktuale politike fajtore janë LDK-VV

Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se për gjendjen aktuale politike fajtore janë Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja.

“PDK-ja nga 6 tetori i ka të qarta veprimet, jemi deklaruar se pranojmë vendimin e qytetarëve. PDK-ja asnjëherë s’ka qenë në qeveri pa i fituar zgjedhjet. Për këtë gjendjen aktuale, fajin më të madh e ka VV dhe LDK. Për 3 vjet kanë premtuar qeveri të shpresës, i kanë gënjyer qytetarët”, tha Gashi në emisionin DESKU.

Por Çeku iu drejtua duke i thënë se “ju keni votuar dhe e keni rrëzuar qeverinë, prandaj s’mund të thuhet se ne jemi rrëzuar vet”.

Gashi tutje thotë se në 2014, kanë devijuar gjithçka sepse, sipas tij, VV-ja ia ka hequr nga dora kryeministrin partisë së parë.

“Sot VV-ja nuk i ka qëndrimet si në 2014 sepse dëshiron të udhëheq me qeverinë”, u shpreh tutje Gashi i PDK-së.

Sipas Gashit, nëse Thaçi do të shpallte zgjedhjet, “do të bënte shkelje të kushtetutës”.

Gashi shtoi se PDK-ja ka qenë fillimisht e interesuar për zgjedhje, por pas vendimit të kushtetueses, sipas tij, do ta respektojnë atë që konstatohet edhe në vendim.

“LDK-ja nuk dallon aspak nga Vetëvendosja. Edhe në vitet e kaluara kanë treguar se nuk dallojnë as në mendësi të qeverisjes. Përçarjet e koalicionit ishin për çështje interesesh të pozitave dhe pazareve”, u shpreh Gashi.

Sipas Gashit, Vetëvendosja asnjëherë nuk i tregoi “marrëveshjet me Listën Serbe”, derisa Çeku nga LVV tha se “është shpifje sepse s’ka asnjë marrëveshje”.

“Asnjë votë të Listës Serbe nuk e kemi pasur në qeveri”, u shpreh Çeku.

Çeku thotë se s’ka rëndësi nëse VV-ja e pranon apo jo vendimin, rëndësi ka të pyetën qytetarët

Deputeti i VV-së, Hajrulla Çeku, ka thënë se prej momentit që është dhënë aktgjykimi për dekretin e presidentit Thaçi lidhur me mandatarin, sipas tij, jokushtetues, pak ka rëndësi a do ta pranojë partia e tij këtë apo jo.

Ai në “Deskun” e KOHËS ka thënë se për këtë duhet pyetur qytetarët nëse pranojnë apo jo, siç ka thënë ai, që Thaçi të dëmtojë pariparushëm demokracinë dhe sovranitetin në vend.

“Sot s’ka relevancë nëse VV-ja e pranon apo ajo, përmbajtja na qon në një dimension tjetër, e para ligjërisht nuk kemi asnjë mekanizëm të kundërshtimit. Pyetja është, jo a do ta pranojmë ne, por a do ta pranojnë qytetarët që t’ia lejojnë Thaçit që t’ia jap goditjen përfundimtare demokracisë. Pra, Gjykata e luajti edhe një akt të një procesi të nisur më herët, me këtë veprim e bllokoi vullnetin e qytetarëve. Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, nga të gjitha grupet, subjektet dhe njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi, të ia bëjnë këtë pyetje vetes, a do ta lejojnë Thaçin të rrezikojë demokracinë dhe sovranitetin e këtij vendi”, ka thënë Çeku.

Ai ka folur edhe për bashkimin e partive tjera politike në një bllok. Sipas tij, janë bërë bashkë për të penguar luftimin e korrupsionit.

“Rrezik është ky lloj mobilizimi i të gjitha partive, të cilat vazhdojnë të gravitojnë rreth Thaçit, i cili e ka dëmtuar shumë rëndë institucionin që e përfaqëson. Ai nuk është unifikues, është përçarës, po bën veprime që janë të një akteri të jetës politike, jo të një presidenti. Ai shkel mbi gjithçka që është ndërtuat në këtë vend, pasi e ka frikën prej shumë të bëmave të tij. Por vetëdija e qytetarëve është e nivelit që nuk do ta lejojë këtë, ata e kanë manifestuar këtë më 6 tetor, ata e kanë dërguar gardën e vjetër në pension”, tha ai.

Krasniqi: Vendimi ishte marrë shumë më herët

Besnik Krasniqi, gazetar i KOHËS, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë shumë më herët dhe se mbledhja e së enjtes ishte vetëm formalitet.

Duke folur në emisionin “Desku” lidhur me situatën pas vendimit të Kushtetueses, Krasniqi ka thënë se janë ditur më parë elementet kryesore të aktgjykimit.

Krasniqi ka përcjellë zhvillimet e fundit dhe ka raportuar shumë më parë lidhur me vendimin që pritej.

“Ne menjëherë pas mocionit kemi thënë që Vetëvendosje ka mjet në dorë, mjet kushtetues, që mund të prodhonte zgjedhje të parakohshme, meqë në një situatë kur Vetëvendosje nuk ofronte emrin, si zgjedhje e vetme kushtetuese presidentit i mbetej të shpërndajë kuvendin dhe të thërriste zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Krasniqi.

“Seanaca ku është vendosur për aktgjykim u mbajt dje dhe aty është vendosur, por ne kemi raportuar javën e kaluar se elementet kryesore që i përmban informata e Kushtetueses për dekretin për aktgjykimin, realisht kanë qenë informata të ditura para se formalisht të mbahej seanca. Konsideroj se sa për formalitet janë mbledhur dje pasi vendimi ishte shumë më herët”, ka shtuar gazetari Krasniqi.

Ai ka treguar se ka raportuar për rezultatin se si do të votohet në Gjykatë. Ka thënë se për çështjen më kryesore që lidhet me dekretin dhe me afatin, është pikërisht ai rezultat.

“Shtatë vota në favor të Presidentit Thaçi ndërsa ne çështjen që lidhet se a është e domosdoshme që të shpallen zgjedhjes pas mocionit ose jo, aty ka qenë votë unanime. Çështja kryesore lidhet me afatin, ne kemi raportuar se gjyqtarët janë në favor të atij afati 15 ditorë”.

Për PDK-në vendimi i Kushtetueses ishte profesional

Për Partinë Demokratike të Kosovës vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte profesional.

Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se vendimi i Kushtetueses ka qenë i pritshëm për faktin se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të dhënë mandatarin për ta formuar qeverinë.

“Nëse i referohemi aktvendimit të GJK-së, kjo pjesë që ka dalë deri tash, ka sqaruar se Kosova është shtet parlamentar, se në Kosovë popullin e përfaqëson Kuvendi e jo Qeveria e Presidenti. LVV-ja vazhdimisht insistoi që të ketë ekskluzivitetin në mbajtjen peng të formimit të qeverisë dhe nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për ta dhënë mandatarin”, u shpreh Gashi në emisionin DESKU në KTV.

Sipas Gashit, Kushtetuesja tregoi qartë se Kosova ka sistem parlamentar të qeverisjes.

“Ishte vendim profesional dhe u nxjerr një zëri”, tha ai.

Sot gjatë ditës, edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, e ka quajtur vendim të pritur shpalljen kushtetuese të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër dhe e vlerësoi si vendim të drejtë.

Çeku: Vendimi i Kushtetueses, goditje brutale për demokracinë

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, vlerësoi se Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat e saj me aktgjykimin e marrë të enjten për dekretin e presidentit lidhur me mandatarin e Qeverisë.

Madje, ai tha se Gjykata i ka dhënë të drejtë vetes që të merret edhe me çështje që nuk ishin ngritur fare, e që ai i ka quajtur amandamentim të Kushtetutës.

Çeku i ftuar në emisionin “Desku” të KTV-së, tha se kjo paraqet shkelje brutale Kushtetutës.

“Për ne paraqet goditje brutale për demokracinë dhe rendin kushtetues. Përmbajtja është vazhdimësi e veprimeve te skenës politike ose të atij klubi të stërvjetëruar politik për ta penguar Qeverinë Kurti dhe për të ndrydhur vullnetin e qytetarëve. Kemi parë tejkalim të autorizimeve nga vet Gjykata. Kemi argumentuar shumë mirë se nuk ka asnjë procedurë që Kushtetuta e parasheh pas një mocioni të mosbesimit, pra kur kjo ndodh bie qeveria dhe shkohet në zgjedhje”, ka thënë Çeku.

Ai thotë se partia e tij dhe të tjerët kishin paralajmëruar për diçka të tillë. Sipas tij, edhe për shkak të përzierjes dhe presionit të presidentit Hashim Thaçi.

“Presidenti qartazi ka ndikuar përmes presionit që Gjykata Kushtetuese vetëm ta mbështjellë me një interpretim vendimin e tij për dekretin. Ka edhe mangësi tjera. Është marrë me çështje që nuk janë dorëzuar, ne kemi kontestuar dekretin dhe në vend se të merret me dekretin, Gjykata ka futur përmbajtje të reja që janë vetëm e vetëm që të vazhdohet politika e klubit të stërvjetëruar”, ka thënë ai.

Deputeti i VV-së ka akuzuar edhe gjykatësit e Kushtetueses, duke thënë se kanë abuzuar me pushtetin që kanë.

“Është përgjegjësi e madhe, nuk bën të abuzosh, vazhdimisht kemi shpreh dyshime për integritetin e gjykatësve te GJK-së dhe se ka me të kaluar partiake dhe jo bindshëm në lëmin e tyre”, ka thënë ai.

https://youtu.be/6iLgw8aCYYw