Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë më DESKU të KTV-së se Ligji për Paga, në formën që ka qenë, është i pazbatueshëm.
“Ju siguroj, se po të mos kisha besuar se një ligj i tillë është i pazbatueshëm sigurisht se s’do ta dërgoja (në Kushtetuese). Ju siguroj se ka qenë i pazbatueshëm në formën që ka qenë”, ka thënë ai.
Për më tepër, ai ka thënë se si i tillë dëmi nga ky ligj “dëmi do të ishte jashtëzakonisht i madh”.
“Mbi 40 subjekte të ndryshme kanë qenë parashtrues të ankesave që kanë konsideruar se janë të diskriminuar mbi bazën e këtij ligji. Mirëpo efekti i gjithmbarshëm ka qenë tek dëmi që ne kemi konsideruar se nuk e arrin atë që synohet me një reformë në Administratën Publike”, ka precizuar Jashari.
Ai ka treguar ecurinë ligjore të këtij ligji.
“Është i pezulluar deri në qershor Ligji për paga, ndërsa sot pati një vendim tjetër për Ligjin për Zyrtarët Publikë. Kjo reformë apo këto ligje bëjnë pjesë në domenin e një nisme shumë më të madhe që ka të bëjë me reformën e Administratës Publike, që është reforma e parë e kësaj natyre në nivel vendi”, ka thënë ai.
Jashari ka sqaruar se një “tendencë e tillë” ishte bërë në vitin 2016 me një qarkore, “me një instrument shumë më të butë ligjor”. Porse, si ka thënë ai, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se është në kundërshtim me frymën e dispozitave përkatëse të Kushtetutës.
“Ajo që për neve ka qenë brengosëse ka qenë numri jashtëzakonisht i madh i sektorëve të cilët kanë paraqitur ankesa tek ne dhe për të cilën, përtej asaj që ne e quajmë dyshim i bazuar për shkelje të drejtave të njeriut, na kanë bindur se është i bazuar. Dhe ka pas, dhe është konfirmuar pastaj edhe me deklaratat e vet deputetëve që kanë punuar nëpër këto komisione”, ka thënë ai.
Për më tepër, sipas Avokatit të Popullit, situata ishte dhe më brengosëse për faktin se ligji ka dështuar t’i përfshijë “mbi 1 mijë pozita cilësore që nuk janë fare në ligj”.
“Dhe unë e kam të paimagjinueshme se si dikush mendon të zbatojë një ligj në të cilën nuk figurojnë fare një numër kaq i madh i pozitave në strukturat shtetërore. E nga ana tjetër supozon se po e bënë një reformë të Administratës Publike”, ka thënë Jashari.
Jashari ka rekomanduar që reforma të tilla, me efekt nacional “duhet të bëhen në baza të mira e të shëndosha, dhe të mos ketë defekte”.
“Fakti që këto ligje kanë parashikuar nxjerrjen e akteve të tjera nënligjore që kanë synuar fuqizimin e zbatimit të saj e të cilat nuk kanë qenë as në horizont, kjo ka qenë pengesa tjetër e madhe e këtyre ligjeve. E në anën tjetër ka qenë njëfarëlloj konfuzioni që është shkaktuar në publik, nuk e di për faj të kujt, mirëpo shpesh është pretenduar se Avokati i Popullit është kundër rritjes së pagave. Avokati i Popullit në asnjë moment nuk është kundër rritjes së pagave në sektorët ku është supozuar me u rrit rroga. Ne jemi marrë me ata që kanë konsideruar që janë të diskriminuar krahasuar me këta që u është rritë paga. Mirëpo në asnjë fjalë të këtij dokumenti, ne edhe nuk kemi kredibilitet profesional për të thënë që paga është e ulët ose jo. Kjo nuk na takon neve, është tek deputetët e Kuvendit të Kosovës, është tek institucionet financiare”, ka thënë Jashari.
Jashari ka thënë se ankesat që kanë ardhur në adresë të Avokatit të Popullit kanë qenë të shumta.
“Kemi pasur ankesa në kuadër të të njëjtit sektor. Është shquar Sindikata e Shëndetësisë, që bënte fjalë për mjekët që nuk mund të realizojnë të ardhurat që ishin ngritur në mënyrë signifikante. Mirëpo në kuadër të sistemit të shëndetësisë kemi pasur ankesa të shumta të infermierëve ose teknikëve që kanë konsideruar që me standardin e ri që është përcaktuar me Ligjin për pagat ata dëmtohen krahas pagës që kanë aktualisht. Mamitë gjithashtu kanë pasur të njëjtin shqetësim. Në sistemin e Arsimit gjithashtu kanë qenë të zëshëm shumë si Sindikatë”, ka thënë ai.