Jashari: Nga pensionet dhe kursimet në ish-Jugosllavi qytetarët humbën 500 milionë euro, institucionet dështuan

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në emisionin “Desku” në KTV ka bërë të ditur se institucionet nuk janë angazhuar fare që qytetarëve t’ua kthejnë pensionet dhe kursimet në ish-Jugosllavi.

Këtu bëhet fjalë për shumën e 500 milionë eurove, për pensionet rreth 200 milionë euro, kurse për kursimet bankare janë 300 milionë.

Në rastin e pensioneve janë prekur rreth 60 mijë qytetarë të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Prej Gjykatës Evropiane është cilësuar që vlera e saj të jetë mbi 200 milionë euro, ndërsa numri i personave që është afektuar në Kosovë supozohet të ketë qenë dikund rreth 60 mijë. Këto janë cilësime që i ka bërë vet Gjykata Evropiane e Strasburgut. Pasi ky aktigjykim doli, ka qenë edhe një aktgjykim që për herë të parë në mënyrë parimore vendosi mbi bazën e dy ankesave që ka bërë një çift të komunitetit boshnjak në Novi Pazar që ka iniciuar këtë rast në Gjykatën Evropiane. Pasi vlerësoi tha që me këtë rast ne kërkojmë nga Serbia që në mënyrë parimore të gjitha rastet e tjera të trajtojë”, ka thënë Jashari.

Ai thotë se ishte befasuar që institucionet nuk janë marrë me një çështje kaq madhore, porse kur kishte marrë drejtimin e Avokatit të Popullit është angazhuar për këtë çështje, megjithatë s’ka pasur asnjë veprim nga insitutcionet.

“Por, në cilësinë e Avokatit të Popullit sigurisht se isha i interesuar për ta trajtuar dhe në bashkëpunëtorët e mi u morëm me këtë çështje dhe kemi hartuar një raport – mendim juridik që është i publikuar gjithashtu në uebfaqen tonë. Është publikuar në shkurt të vitit 2016 dhe është përcjellë në Këshillin e Evropës. Gjendja nuk është e mirë për faktin e vet dështimit të institucioneve tona për t’u përballë me Gjykatën Evropiane ose për të marrë nisma që të shkohet drejt këtij përmbarimit të këtij aktgjykimi dhe të realizohet interesi qytetarë”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo është e drejtë pronësore e qytetarëve të Kosovës, derisa thekson se pothuajse kjo çështje tani është mbyllur.

“Ministria e Drejtësisë ka një departament të veçantë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ka një Avokat të Shtetit që përfaqëson institucionet tona në kontestet e ndryshme gjyqësore. Ka pasur kapacitet për t’u marrë me këtë ku do të përfitonin rreth 60 mijë qytetarë, dhe mbi të gjitha është e drejtë pronësore e tyre e cila iu njihet me një aktgjykim ndërkombëtar. Mendoj se është rrezikuar tej mase, dhe pothuajse është çështje e mbyllur tashmë sepse veç Komiteti i Ministrave, që është organi kryesor e ka thënë që është çështje e përmbyllur”, ka thënë Jashari.

Sipas tij Serbia ka bërë një lojë për t’i bishtnuar ekzekutimit të këtij aktgjykimi.

“Mbaj mend njërën nga frazat që është përdorë se gjoja Serbia ka tentuar të zbatojë këtë aktgjykim, ndërsa Kosova ka dështuar të përcjellë për këtë çështje qoftë edhe një opinion të vetëm. Ajo çfarë ka ndodhur në praktikë është se Serbia ka tentuar që nëpërmjet UNMIK-ut në Kosovë të bëjë një thirrje publike për të gjithë ata që gjoja kanë pretendime të tilla. E nëse s’gaboj numri ka qenë diku 3 ose 4 mijë qytetarë që iu kanë përgjigje kësaj thirrje, mirëpo prej tyre Serbia pastaj i njohu më pak se 1 mijë. Dhe me këtë numër ata pretenduan para Komitetit të Ministrave se kanë realizuar kërkesën e 60 mijë të tjerëve sepse s’ka pas interesim ose nuk janë paraqitur”, ka deklaruar Jashari.

Jashari thotë se atë raport iu kishte dërguar të gjitha institucioneve të Kosovës.

Ai gjithashtu ka folur edhe për çështjen e kursimeve bankare në ish-Jugosllavi, për të cilën thotë se bëhet fjalë për shumën e 300 milionë eurove, për të cilën thotë se nuk dihet saktë se sa kanë mundur të kenë qytetarët e Kosovës dhe sa ata të Serbisë.

Ai tregon edhe një shembull konkret kur një grua ka pasur librezë të kursimeve të burrit të saj që arrinin shumën e 300 mijë dollarëve.

“Kemi pasur edhe raste individuale. Ishte një grua nga Vushtrria, burri i së cilës kishte punuar në vendet e lindjes dhe e cila e kishte pasur dëshminë e ruajtur të librezës bankare dhe vlera ka qenë diku 300 mijë dollarë që kishte arritur t’i kursente i ndjeri. E gjatë bisedës ajo më thotë se më nuk ka mjete që ta shkollojë vajzën ndërsa në anën tjetër kishte një librezë që i kishte të kursyera nga bashkëshorti i saj, ky është vetëm ilustrim”, ka thënë Jashari.

Tutje ai ka treguar se ka kontaktuar Guvernatorin e Bankës Qendrore, ministrin e Punës dhe Mirëqenies sociale, kërkova nga Ministria e Financave që t’i bashkohet këtij forumi, dhe ministrin e Drejtësisë, megjithatë vetëm njëri i ishte përgjigjur.

“I vetmi që më është përgjigjur është Guvernatori i Bankës, i cili gjatë bisedës që patëm një takim lidhur me këtë temë mbante mend se ndërkohë do të mbahej një takim i guvernatorëve të bankave në nivel ndërkombëtarë ku prezent do të ishte edhe ai i Serbisë. Ai mendonte se me një letër që do të adresonte në Serbi pastaj do të bënte presion përmes këtij mekanizmi ndërkombëtar që Serbia eventualisht të lëvizte këtë makineri. Nga ministri i Punës dhe ai i Drejtësisë kemi kërkuar që të formohet një ekip e vogël që do të përgatisnin këto kërkesa drejtuar Gjykatës Evropiane. Dhe i gjithë dokumentacioni pastaj të përcillej në autoritetin përkatës në Serbi. Dhe për të hequr barrën e qytetarëve që të mos merret secili individ veç e veç mirëpo të kanalizohet nëpërmjet mekanizmave institucional shtetëror”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se këto kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në muajin prill.

“Për fat të keq nuk kam marrë asnjë përgjigje në këtë kërkesë, që mendoj se ka qenë një dëm i madh sepse shumica e qytetarëve do të mund të kishin realizuar, ose në fund të fundit do të vendosnim një presion indirekt pranë mekanizmave përkatës të thirrur për të vendosur drejtësi ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut”, ka thënë Jashari.