Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim shumë shpejt pritet të nisë me vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë që kanë aplikuar për akreditim institucional.
Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe mbylljes së Aeroportit që pamundëson ardhjen e ekspertëve ndërkombëtarë, Këshilli ka vendosur që ta autorizojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim për realizimin e vlerësimit në distancë, shkruan KOHA.
Vendimi i Këshillit është marrë mbi bazën e një njoftimi të ENQA-s, sipas të cilit, agjencive për akreditim u lejohet fleksibilitet në formën e vlerësimit në kohën e pandemisë globale. Në letrën e AKA-së bëhet e ditur se Agjencia fillimisht do të realizojë procesin e akreditimit institucional dhe në bazë të vlerësimeve të nxjerra do të vazhdojë në fazën tjetër të vlerësimit të programeve akademike.
“AKA-ja do të kontaktojë individualisht me IAL (Institucionet e Arsimit të Lartë) për datën e realizimit të vizitës në distancë sapo të dakordohemi me ekspertët ndërkombëtarë. I gjithë procesi do të zhvillohet ngjashëm me vitet e kaluara, por dallimi i vetëm do të jetë se intervistat me drejtuesit e IAL-së dhe përfaqësuesit e tjerë do të zhvillohen online. AKA-ja do të marrë përsipër angazhimin e vizitës në distancë dhe për këtë shkak të konfidencialitetit, stafi i AKA-së do të bëjë lidhjen online ndërmjet ekspertëve të IAL-së. AKA-ja do të dërgojë agjendën e vizitës secilit IAL individualisht posa të konfirmohen datat nga ana e ekspertëve”, thuhet në letër.