Këto janë kompanitë e naftës që u gjobitën për manipulim me çmime nga AKK-ja

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sot gjatë një konference për media ka vendosur t’u shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumë të përgjithshme prej mbi 4 milionë euro të totalit të të hyrave të gjashtë mujorit të vitit 2018, 14 kompanive të derivateve të naftës, të cilat kanë qenë nën hetim nga AKK-ja që nga viti 2019, për manipulime me çmime.

Po ashtu, AKK-ja ka marrë edhe dy vendime liruese për dy kompani, përcjell Buletini Ekonomik.

Në këtë konferencë, Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim, e kanë çrregulluar konkurrencën në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Me veprimet e tyre, ato kanë kryer shkelje të dispozitave të Nenit 4 të Ligjit nr.03/L -229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili i rregullon “Marrëveshjet e ndaluara apo praktikat e bashkërenduara”, ka sqaruar ai.

Prestreshi ka thënë se hetimi lidhur me këtë rast ka nisur në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të derivateve të naftës nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale me rastin e caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018. Atë kohë, dominonte dyshimi se çmimi i derivateve në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjtë përkundër uljes së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, hetimi i këtij rasti është zhvilluar nëpër disa faza, ashtu siç kërkohet me ligjet në fuqi. E së fundi, pas gjetjeve përkatëse dhe Njoftimit të Fakteve Paraprake, të cilat AKK-ja i ka shpalosur para mediave më herët, u është dhënë afat kohor kompanive që t’i ofrojnë komentet e tyre lidhur me këtë çështje, ka sqaruar Prestreshi.

Autoriteti i Konkurrencës sot ka urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm, i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar, nëpërmjet çfarëdo marrëveshje apo bashkëpunimi tjetër joformal (të pa evidentuar) i cili shkon ne dëm të konsumatorëve, si dhe çdo aktivitet biznesor i cili e çrregullon konkurrencën në tregun përkatës.

Ndërkohë, Prestreshi ka thënë se sa i përket dy vendimeve liruese (për kompanitë BLU OIL Shpk , KASTRATI GROUP Shpk), kjo ka ndodhur meqë gjatë shqyrtimit të fakteve, është konstatuar se me aktivitetin afarist të këtyre kompanive nuk janë rrezikuar përfitimet të cilat konkurrenca efektive ju sjell qytetarëve (konsumatorëve dhe tatimpaguesve). Prandaj, është vlerësuar se nuk ka argumente për ta vazhduar më tutje procedurën hetimore, pasi që këto ndërmarrje nuk kanë shitur derivate me pakicë në tregun relevant por kanë importuar dhe shitur derivate të naftës në tregun relevant vetëm me shumicë. /Buletini Ekonomik/

No photo description available.