Liderët botërorë premtojnë mbi 7 miliardë euro për vaksinën ndaj virusit

Liderë dhe organizata nga mbarë bota kanë premtuar të hënën më se 7.4 miliardë euro për kërkimin, prodhimin dhe distribuimin e një vaksine apo trajtimi të mundshëm kundër COVID-19, në kuadër të iniciativës globale, pjesë e së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzuan që të bëhen.

Organizatorë të ngjarjes ishin Bashkimi Evropian dhe joanëtaret, si Britania e Madhe, Norvegjia dhe Arabia Saudite. Liderë nga Japonia, Kanadaja, Afrika Jugore dhe dhjetëra vende të tjera iu bashkuan organizimit virtual, teksa Kina, vendi prej ku buroi koronavirusi i ri, ishin përfaqësuar vetëm nga ambasadorët e tyre në BE.

Qeveritë kudo në botë synojnë që ta vazhdojnë mbledhjen e fondeve edhe gjatë javëve apo muajve në vijim, duke iu bashkuar përpjekjeve të Bankës Botërore, Fondacionit Bill dhe Melinda Gates dhe individëve të kamur, duke e kthyer një faqe të re nga përgjigjja gjysmake dhe e rrezikshme e kohës së fillimit të pandemisë, kudo nëpër botë.

Reklama e sponzorizuar

“Brenda një intervali kohor prej vetëm pak orësh kemi arritur që të mbledhim 7.4 miliardë euro për vaksinën, diagnostikimin dhe trajtimin kundër COVID-19”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi e kryesoi konferencën online. “Ky është një fillim i pashembullt i bashkëpunimit global”, ka shtuar ajo.

Nuk ndihet megjithatë se sa do të jetë fondi i ri, pasi që edhe premtimet e mëhershme të këtij viti është paraparë që të përfshihen në të, kanë thënë zyrtarë të BE-së.

Mes donatorëve ka qenë edhe këngëtarja e famshme botërore, Madonna, e cila është zotuar të ndajë 1 milion euro, ka thënë von der Leyen.

Vaksina – urgjenca më e madhe e kohës

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili porsa është rimëkëmbur nga beteja me COVID-19, ka thënë se kërkimi për një vaksinë është “ndërmarrja më urgjente e kohës”, duke bërë thirrje për një “mburojë të papenetrueshme për popullatat”.

Diplomatë të BE-së kanë njoftuar se SHBA-ja, e cila ka numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara me sëmundjen, nuk ka marrë pjesë në organizim. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane ka refuzuar të tregojë se pse vendi nuk është përfshirë në organizim.

“E mbështesim këtë përpjekje premtuese të BE-së. Është njëra prej përpjekjeve më premtuese që është ndërmarrë dhe SHBA-ja është në krye të frontit”, tha ai për gazetarët, përmes telefonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur gjatë muajit të shkuar se do t’ia ndalë fondet Organizatës Botërore të Shëndetësisë, drejtori i së cilës iu adresua konferencës, shkaku i mënyrës së saj të menaxhimit me krizën.

Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, tha se ndien keqardhje për vendimin, si dhe për mospjesëmarrjen e Washingtonit.

“Është për keqardhje që SHBA-ja nuk është pjesë e kësaj. Kur jeni në një krizë, e menaxhoni atë dhe e bëni bashkërisht me të tjerët”, ka thënë Solberg, duke premtuar 1 miliard dollar mbështetje për zhvillimin e çfarëdo vaksine kundër COVID-19 dhe për vaksinat kundër sëmundjeve të tjera.

“Kemi pasur disa diskutime me partnerët tanë amerikanë dhe jam i bindur se amerikanët në fund të fundit do t’i bashkohen kësaj dinamike, meqë kjo është mënyra për ecjen përpara në botë”, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron.

Shumë liderë kanë bërë të ditur se çdo lloj vaksine që prodhohet duhet të jetë e qasshme për çdokënd. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se qasja nuk duhet të jetë e kufizuar vetëm për vendet e pasura.

“Ata që e krijojnë, natyrisht do të paguhen në mënyrë të drejtë, por qasja do t’u sigurohet të gjithë njerëzve përreth botës nga organizata që ne zgjedhim”, ka thënë Macroni. 

Reuters