Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se uzurpimi i zyrave nuk është dhe as nuk ka qenë kurrë opsion i Vetëvendosjes.
Nagavci, në “Interaktiv”, tha se nëse votohet Qeveria Hoti, do të lirojnë zyrat e Qeverisë.
“Kjo nuk ka asnjë dilemë, besoj. Zyrat janë objekte fizike, nuk është ideja jonë që të mbajmë më dhunë zyrat dhe institucionet. Qeveria Kurti ka bërë punë të jashtëzakonshme, duke nxjerr me më shumë se 200 vendime. 50 ditë si qeveri e rregullt dhe 50 ditë si qeveri në detyrë në ato objekte… në pjesën më të madhe të kohës është punuar gjithë kohës në to. Por fatkeqësisht u bënë bashkë 82 deputetë, partitë humbëse dhe rrëzuan një qeveri të ligjshme. Ata janë të vetëdijshëm se vazhdimi i punës i Qeverisë Kurti do të shpërfaqë dallimin me qeverisjet e mëhershme”, tha ajo.
Ajo ka folur edhe për kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani. Ka thënë se nuk është diskutuar që VV-ja si parti fituese të marrë postin e kryetarit të Kuvendit.
Nënkryetarja e Kuvendit, deputete e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, vlerëson se i mandatuari Avdullah Hoti për kryeministër nuk do të punojë për interesa të qytetarëve.
“Nuk e di a ka qytetar që beson se Hoti po bëhet kryeministër për të luftuar korrupsionin apo zhvilluar vendin. Ai do të kryej detyrën dhe vendi shpejt do të shkojë në zgjedhje të reja. Planet që po përgatiten nuk janë të mira për vendin”, u shpreh Nagavci në Interaktiv.
Nagavci: Do të ketë protestë
Nënkryetarja e Kuvendit, deputete e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, thotë se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të parë veprimet e ardhshme që do të ndërmarrin, porse, ka konfirmuar se do të ketë protesta.
“Veprimet do të jenë të gjitha mjetet demokratike, pra hapa demokratik. Do të shohim çka do të ndodhë tutje. Të shohim kur të dalë aktgjykimi i plotë i kushtetueses e seanca në Kuvend për votimin e qeverisë së re. Nuk e kemi parë marrëveshjen me Listën Serbe nga ata që po synojnë krijimin e qeverisë së re, e me të tjerat parti po”, tha Nagavci në Interaktiv.
Sipas Nagavcit, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka shkuar kërkesa për seancë.
Nagavci, tha se qytetarët do të njoftohen edhe për aktivitetet që do të ndërmerren.
Tentimi për të bllokuar seancën e Kuvendit, sipas Nagavcit, “njëherë nuk është opsion”, porse ka shtuar se ‘do të ndërmerren veprime demokratike’.
Nagavci gjithashtu tha se qytetarët janë të interesuar edhe për protesta.
“Patëm edhe dy test protesta. Do të jemi të kujdesshëm dhe besoj se do të kemi protestë. Sigurisht, është kërkesë e qytetarëve dhe do të ketë protestë. Qytetarët janë të mllefosur me atë që po ndodh”, u shpreh ajo.
Nagavci thotë se me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses ka humbur vlera e zgjedhjeve
Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit, ka thënë se pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, zgjedhjet kanë humbur vlerën e tyre.
Nagavci që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, e ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se tash e tutje në zgjedhje do të garohet se kush do të jetë subjekti më i vogël. Teksa tha këtë, ajo mendoi për të drejtën që sipas saj i takon VV-së si parti fituese të formoi qeverinë, e të cilën të drejtë tash Kushtetuesja nuk ia dha pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me mocion mosbesimi.
“Çfarë kuptimi ka të mbahen zgjedhjet, gara tash e tutje do të jetë që kush të jetë subjekti më i vogël. Çfarë kuptimi ka t’i fitosh zgjedhjet dhe pas 2 muajve humbësit bëhen bashkë dhe rrëzojnë një Qeveri, është përmbysje e rendit demokratik. Kjo i bie, u themi qytetarëve ‘na votoni dhe prej momentit që futemi në Kuvend, më nuk iu pyesim’, kjo bën që të gjitha pazaret të bëhen në tavolinë. Duhet të mbajmë përgjegjësi për premtimet që japim, për veprimet që bëjmë dhe të mbajmë fjalën e dhënë gjatë fushatës”, ka thënë Nagavci.
Ajo akuzoi partitë tjera se kanë bashkërenduar planet për të rrëzuar një Qeveri që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit.
“Ka qenë një praktike që të paktën të vlerësohet puna pas 100 ditësh, por as kjo nuk iu lejua, madje u bën bashkë në kohë pandemie, kemi raste në Evropë kur të gjithë u bënë bashkë, kishte mocione të mosbesimit, por vazhduan t’u besojnë atyre qeverive dhe i kthyen. Këtu te ne humbësit u bashkërenditën me presidentin, ai i dërgoi pesë letra dhe në fund erdhi te konstatimi se ka refuzuar të drejtën, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë ajo.
Nagavci: Vendimi i Kushtetueses ishte shkresë politike
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, tha se vendimi i Kushtetueses ishte vetëm ‘shkresë politike’.
“Përveç faktit se GJK ka tejkaluar kompetencat e saj si interpretuese e kushtetueses, në pikën 13, 18 tejkalon kompetencat duke shkruar apo amandamentuar atë që është kompetencë e Kuvendit”, thotë Nagavci në Interaktiv të KTV-së.
Përveç gjuhës politike që e përdor kushtetuesja, thotë Nagavci, shihet se ka mospërputhje e pasaktësi.
“Në deklaratë thuhet se fituesi i zgjedhjeve ka refuzuar të japë mandatarin, e është e pavërtetë sepse ne shprehimisht e kemi njoftuar presidentin për mandatarin sapo të formohen kushtet. Për ne, vendimi ishte i papranueshëm dhe shpërfaqin se në këtë shtet numri më i madh i institucioneve janë të kapura”, tha Nagavci, duke shtuar se gjithçka ishte në favor të presidentit Thaçi.
Sipas Nagavcit, në vendim përmenden 82 deputetë, që sipas saj, kjo s’është aspak e nevojshme pasi Kushtetuesja, përmend ‘fakte të Thaçit’, dhe deklarata që ka dhënë Thaçi.
“E përmend edhe fjalën “mund” që tregojnë se gjithçka varet nga vullneti i presidentit, që ai mundet ose s’mundet ta shpërndajë Kuvendin, pra, varet nga ai”, u shpreh Nagavci.