Osmani: Përfshirja e Rusisë në dialog do të ishte hap prapa

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është kundër përfshirjes së Rusisë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ajo ka thënë se përfshirja e Rusisë në dialog do të ishte hap prapa.

“Në vitin 2010 kur Asambleja ka vendosur si të procedohet për dialogun absolutisht ka kundërshtuar një format ku është i përfshirë edhe Rusia. Nëse kthehemi në formate ku Rusia ka pasur zë dhe rol besoj qe kthehemi mbrapa. Nuk e shoh aspak të nevojshme e aq më pak si ndihmesë përfshirjen e Rusisë në këtë proces. Rusia e ka dëshmuar që qëllimin e vet në Ballkan e ka destabilizimin e rajonit. Kjo është një çështje që BE do të duhej ta trajtonte me seriozitet”, ka thënë Osmani.

Më herët ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Harchenko, ka thënë se nëse Serbia kërkon përfshirjen e Rusisë, atëherë vendi i tij do ta shqyrtojë këtë. E lidhur me këtë SHBA-ja ka thënë se çdokush që ka ide të mira për paqen në rajon është i mirëseardhur.

Reklama e sponzorizuar