Pandemia lë bosh parkun e Gërmisë për 1 Maj

Policia ka kthyer të gjithë qytetarët që të premten ia mësynë Parkut të Gërmisë.

Në një situatë të pazakonshme ata u përballën me njësite policore, që kishin dalë në lagjen “Taukbahçe” të kryeqytetit si pjesë e masave të shtuara të sigurisë për ta, transmeton KOHA.

Përveç banorëve të kësaj lagjeje, këtu nuk u la të futej asnjë qytetar tjetër që për qëllim pati vizitën në Parkun e Gërmisë.

Reklama e sponzorizuar

Krejt këto masa erdhën për të parandaluar grumbullimin e shumë qytetarëve që zakonisht kanë këtë park si vendin e preferuar për 1 Maj, shkak i rrezikut nga COVID-19.

Edhe pse jo për arsye festive, Gërmisë megjithatë nuk i munguan vizitorët as gjatë kësaj dite.

Për situatën aktuale të krijuar në vend nga Drejtoria e Inspektoratit në Prishtinë thanë se janë të kënaqur me zbatimin e vendimeve për mosdalje.

Ndërkohë që drejtori i kësaj drejtorie, Adonis Tahiri, tha se për secilin qytetar që niset drejt Gërmisë vlejnë gjobat në bazë të ligjit për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ndërkohë që një gjendje e njëjtë u pa edhe tek liqeni i Badovcit, vend tjetër ky ku qytetarë të shumtë e kanë zgjedhur për të festuar.

Për daljet e pakta të qytetarëve gjatë kësaj kohe, Tahiri tha se po bashkëpunojnë vazhdimisht me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin sanitar, të cilët bëjnë kontrolle në thuajse secilin park.

Derisa janë respektuar në mënyrë të vazhdueshme thirrjet për qytetarët, në mënyrë që të mos frekuentojnë parqet e qytetit.

Ditëve të fundit në kryeqytet nuk është shënuar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus, ndërsa pritet që pas datës 4 maj të lehtësohen masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.