Për muaj me radhë, Latif Fetahu nga lagjja “Dardania’’ e Prishtinës thotë se është duke u përballur me fryrje të faturave të ujit.
Ai thotë se është pagues i rregullt i shërbimeve esenciale, megjithatë shton se borxhi që po i faturohet nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina’’ është i papërballueshëm.
Sipas tij, edhe përkundër pagesës dhe insistimit të tij për leximin e orëve të ujit, një gjë e tillë nuk po bëhet nga lexuesit në terren. Sipas tij, kjo po krijon dyshime te banorët e kësaj lagjeje për keqpërdorim nga ana e ujësjellësit, raporton KOHA.
Se ka fryrje të faturave të këtij shërbimi dhe se mungon leximi i orëmatësve të ujit, e thonë edhe qytetarë të tjerë të kryeqytetit.
Përkundër ankesave të qytetarëve, U.d. i kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtina’’, Sokol Xhafa, tha se faturimi bëhet në bazë të mundësive të leximit. Ndërkohë që faturimi është i rregulluar në bazë të caktimeve të Autoritetit Rregullator për Ujëra, kushteve minimale të shërbimit dhe kartës së konsumatorit.
Ai po ashtu tha se ka filluar zbatimi i programit për pagesën e faturave online dhe postës, derisa nëpërmes kartelës së konsumatorit mund të evitohet shlyerja e borxhit të konsumatorëve.
Xhafa shtoi se situata e krijuar me pandeminë COVID-19 ka ndikuar në rritjen e konsumit dhe shërbimit me ujë, çka ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të borxheve.