Raportuesi i BE’së për Serbinë në Parlamentin Evropian, sllovaku Vladimír Bilcik ka thënë se nuk do të ketë rinisje të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit derisa në Kosovë nuk ka një qeveri të qëndrueshme dhe rrethana të qarta.
“Nëse nuk ka qartësi dhe qeveri të qëndrueshme në Kosovë, dialogu me Serbinë nuk do të fillojë “, ka thënë sllovaku për Euractiv, transmeton Gazeta Express.
Bilcik gjithashtu ka folur edhe për kritikat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në drejtim të Përfaqësuesit Special të BE’së për dialogun, Miroslav Lajcak.
Sipas euro parlamentarit ato nuk kanë synim që të delegjitimojnë Lajçakun si person por BE’në si një akter në proces.
“Nuk ka të bëjë me delegjitimimin e Lajcakut si person. Ka të bëjë më delegjitimimin e BE’së si një akter”, ka thënë tutje ai.
Derisa analisti Toby Vogel i cili është pjesë e Democratization Council Policy ka thënë se zgjedhja e Lajçak ishte e gabuar, duke përmendur faktin që ai vjen nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Megjithatë Vogel ka thënë se është për t’u vlerësuar fakti që Lajçak ka dalë kundër idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.