Disa shkencëtarë në Hong-Kong kanë thënë se infektimi i COVID-19 përmes syrit mbart një rrezik më të lartë pasi ky lloj coronavirusi është më i fortë krahasuar me coronaviruset e tjerë të analizuar, megjithatë higjiena e duarve mbetet mbrojtja më e mirë ndaj tij.
Dr Michael Chan, Profesor i Asociuar në Fakultetin e Shëndetit Publik në Hong-Kong ka thënë për Euronews se COVID-19 është më i fortë se coronaviruset e mëparshëm, si për shembull SARS.
Teksa kanë analizuar indet në laborator, ekipi zbuloi se ka një rrezik të lartë infeksioni përmes syve:
“Krahasuam coronavirusin e ri me atë të SARS në 2003 dhe zbuluam se coronavirusi i ri riprodhohet në nivele më të larta se SARS, çka sugjeron se coronavirusi i ri mund të kalojë në trupin e njeriut përmes syrit”.
“Pra coronavirusi i ri ka edhe një pikë tjetër hyrje në trupin e njeriut, krahas rrugëve të frymëmarrjes”.
Profesor Chan tha se pavarësisht këtij zbulimi, duart e pastra janë mënyra më e mirë për të shmangur infektimin:
“Kërkimet e mëparshme kanë sugjeruar se coronavirusi mund të mbijetojë për një kohë të gjatë në sipërfaqe të ndryshme, kështu që nëse prekni një send të kontaminuar dhe më pas fërkoni sytë, ka një rrezik më të lartë infeksioni”.
“Ndaj do të sugjeroja që higjiena e duarve është më e rëndësishme sesa pajisjet për mbrojtjen e syve”.