ZKA: Mbi 17 mijë euro avanca të pambyllura nga Ministria e Diasporës

Mijëra euro të avancave të udhëtimeve zyrtare në Ministrinë e Diasporës e Investimeve Strategjike kanë mbetur të pambyllura si pasojë e mosarsyetimit, e mijëra të tjera janë dhënë si subvencione për projekte të caktuara pa respektuar kriteret.

Këto janë dy prej disa shkeljeve që Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS) për vitin e kaluar.

Kjo ministri vitin e kaluar është udhëhequr nga Dardan Gashi, ndërkohë që me qeverinë e re kjo ministri është shkrirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga Glauk Konjufca. Ky i fundit, sipas raportit, është pajtuar me gjetjet dhe ka thënë se do të adresojnë të gjitha rekomandimet, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Në raportin e auditimit thuhet se sipas Udhëzimit Administrativ për udhëtime zyrtare, mjetet të cilat merren si avanca për udhëtim zyrtar duhet të arsyetohen në një afat prej 15 ditësh pas kthimit nga udhëtimi. Çdo vonesë përtej këtij afati sipas auditorit është ligjërisht e paarsyeshme, e aq më tepër, siç thuhet, vonesat me vite të tëra.

“Avanca të pambyllura në fund të viti 2019 ishin 17 mijë e 443 euro. Një nga këto avanca në vlerë 6 mijë e 14 euro kishte mbetur i hapur që nga viti 2017, ndërsa gjashtë (6) avancat e pambyllura në vlerë prej 7 mijë e 423 eurosh i takonin vitit 2018 dhe pesë (5) avanca të pambyllura në vlerë prej 4 mijë e 5 euro i takon vitit 2019, dhe si të tilla është dashur të mbylleshin para përfundimit të vitit”, thuhet në raport.

Auditori nga testimet i 9 mostrave ka vërejtur se në një mostër avance për udhëtime zyrtare në Itali në vlerë prej 1 mijë e 41 eurosh i realizuar më datën 28 tetor 2019, në bazë të dokumentacionit të vlerësuar me rastin e arsyetimit të shpenzimeve, për pjesën e avancës në vlerë prej 370 eurosh, përfituesi nuk kishte ofruar dëshmi për shpenzimet e ndodhura.

“Kjo vlerë është dashtë të kthehet në llogari të MDIS, por deri në përfundim të auditimit kthimi i këtyre mjeteve nuk ishte bërë”, thuhet në raport.

Shuma e raportuar në pasqyrat vjetore financiare e avancave të paarsyetuara dhe mosmbyllja e tyre ndër vite thuhet se kishte ndodhur për shkak të neglizhencës nga ana e zyrtarëve përkatës për kthimin e mjeteve të paarsyetuara, si dhe mungesës së kontrolleve nga ana e zyrtarëve përgjegjës për aprovimin e këtyre shpenzimeve.