10 plazhet europiane më të sigurta këtë verë

Plazhet vihen nën sprovë nga COVID-19…

European Best Destinations ka marrë në analizë disa parametra për të identifikuar plazhet më të mira europiane për të shkuar me pushime të sigurt…

  • numër i ulët i personave të infektuar nga koronavirus (nga 10 deri në 600 herë më pak raste me Covid-19);
  • sipërfaqja e plazheve
  • numri i metrave katrorë të disponueshëm për çdo person në plazh
  • gama e gjerë e ofertave për vila private, apartamente turistike, hotele të vogla ose mesatare, me një kartelë shëndetësore specifike dhe shërbime për udhëtarët, si shërbimi i pastrimit dhe dezinfektimit të dhomave pas çdo qëndrimi dhe respektimi i distancave sociale
  • afërsia me spitalet që nuk kanë qenë kurrë të mbingarkuara gjatë krizës me një mesatare shtretërish spitalorë për banor më të lartë se mesatarja europiane

Prevezë, Greqi

Reklama e sponzorizuar

Greqia ka qenë një ndër vendet europiane më pak të prekur nga koronavirusi (deri 50 herë më pak krahasuar me çdo vend tjetër europian). Vendi ka marrë masa për sigurinë dhe shëndetin dhe për t’u garantuar udhëtarëve pushime të sigurta: për shembull, filtrat te kondicionerët e ajrit duhet të ndryshohen pas çdo qëndrimi dhe distanca e detyrueshme nga një çadër në tjetrën është 4 metra. Një nga plazhet e Greqisë që ofron sigurinë, dhe natyrisht ndër më të bukurit, është Preveza.

Plazhi i Monolithi, plazhi kryesor i Prevezës, është i gjatë 22 km dhe i gjerë deri në 80 metra. Ky është plazhi më i gjatë në Europë; me qindra mijë metra katrorët (+ 1.500.000 m²) nuk do të jetë aspak e vështirë të gjeni një vend të bukur nën çadër dhe të kalosh disa ditë çlodhëse pranë detit. Plazhi i Monolithit nuk është i vetmi natyrisht në Prevezë, ka dhe shumë të tjera. Në Prevezë ka edhe shumë rezorte. Ndër të tjera, Preveza është afër tre spitaleve dhe vetëm dhjetë minuta larg nga aeroporti.

Comporta – Alentejo, Portugali

Ndonjëherë mund të qëndrosh për orë të tëra në këtë plazh, i gjatë 20 km. Alentejo është një ndër rajonet më pak të goditura nga koronavirusi në Europë (deri në 600 herë më pak raste koronavirusi në Alentejo krahasuar me çdo rajon tjetër në Europë).

Portugalia ka qindra kilometra me plazhe të mrekullueshme, ideale për të kaluar pushimet me familjen. Plazhi i Comporta-s ndodhet vetëm pak kilometra larg Lisbonës, një ndër kryeqytetet më të bukura në Europë. Comporta nuk ka dyndje turistësh madje as në pikun e verës në korrik dhe gusht dhe ofron apartamente turistike, vila private dhe hotele me përmasa të vogla. Duhet të dini që Portugalia ka vënë tabela: “Safe and Clean”, një kërkesë e Entit të Turizmit në Portugali, për të garantuar një qëndrim që përmbush gjithë masat shëndetësore.

Gadishulli Hel, Poloni

Polonia është një ndër vendet europiane më pak të prekur nga koronavirus së bashku me Portugalinë dhe Greqinë. Ka pasur deri në 20 herë më pak raste se sa në vendet më të prekura në Europën Perëndimore. Këtu spitalet nuk janë mbingarkuar kurrë dhe Polonia ka më shumë shtretër spitalorë për banor se shumë vende europiane si Holanda apo Zvicra.

Pas një fluturimi ajror për në Gdańsk, European Best Destinations ju këshillon të merrni makinë me qira për në Gadishullin Hel, që pavarësisht emrit të tij, është një parajsë në Tokë. Ky plazh i gjatë me rërë (i gjatë 35 km, i gjerë nga 30 metra deri në 3 km), u ofron udhëtarëve miliona metra katrorë. Për ata që pëlqejnë shëtitje me biçikletë, Hel është vendi ideal për të organizuar ekskursione në zbulim të atraksioneve natyrore të tij.

Plazhi Porto Santo – Ishujt Madeira, Portugali

Këtë verë, Portugalia është konsideruar ndër destinacionet më të sigurta: disa rajone si Azores, Alentejo dhe Algarve janë kursyer nga COVID-19 krahasuar me pjesën tjetër të Europës. Madeira është edhe rajoni më pak i prekur në Portugali, një arkipelag i përbërë nga disa ishuj. Është Maideira, ishulli kryesor, por edhe ishuj të tjerë të vegjël si Porto Santo (5.500 banorë) janë një destinacion ideal për t’u çlodhur në zemër të natyrës, pas muaj të tërë izolimi. Plazhet me rërë të artë të Porto Santo-s janë të famshme në të gjithë botën.

Plazhi Halikounas – Korfuz, Greqi

Greqia është përmendur shpesh si një ndër destinacionet më të sigurta në Europë në lidhje me koronavirusin, kjo edhe falë disa masave specifike të marra për të luftuar përhapjen e virusit, si distancimi social në plazhe, dezinfektimi i dhomave, ndryshimi i filtrave të kondicionerëve pas çdo klienti, matja e temperaturës në aeroport, disponueshmëria për maska dhe shtretër të shumtë spitalorë (Greqia ka më shumë dhoma spitalore për frymë se Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar). I bekuar nga perënditë, Korfuzi është një ndër ishujt grekë më të gjelbër, me florë dhe fauna të pasur. Vetëm 40 minuta me makinë nga Aeroporti i Korfuzit, ndodhet një nga plazhet më të bukura dhe më të mëdha të këtij ishulli ëndrrash, plazhi i Halikounas.

Plazhi Ghajn Tuffieha – Riviera Bay Beach, Maltë

Numri i rasteve me koronavirus në Maltë ishte 55 herë më i ulët krahasuar me vendet europiane më të goditura. Malta ka më shumë shtretër spitalorë për banor se Finlanda, Irlanda apo Mbretëria e Bashkuar. Duke qenë se epidemia ishte shumë e kufizuar në Maltë, spitalet nuk u mbingarkuan kurrë dhe do të jenë në gjendje të mirëpresin udhëtarët nëse do të jetë e nevojshme. Duke ditur këtë, si thoni që të zhyteni në ujërat e kaltra të Mesdheut dhe të zbuloni thesaret dhe pasuritë e një ndër destinacioneve më të bukura në Europë? Ju mund të zgjidhni Riviera Bay apo një ndër shumë plazhet e tjera në Maltë. Ata që dëshirojnë të largohen nga turma këtë verë, alternativa është të qëndrojnë në Gozo – ishulli më i vogël i arkipelagut maltez është ideal për adhuruesit e natyrës dhe zhytësit.

Plazhi Meia Praia – Lagos, Algarve, Portugali

Algarve është një ndër rajonet më pak të prekura nga koronavirusi në Europë dhe Lagos është një nga qytetet më pak të goditura në Algarve. Me një numër rastesh 40 herë më të ulët krahasuar me çdo rajon tjetër europian, Algarve është një destinacion i njohur për udhëtarët që kërkojnë vende të sigurta për të kaluar pushimet këtë verë.

Lagos ka një qendër të bukur historike me dyqane tradicionale, bar-caffe trendi, një treg me fruta dhe peshk, si dhe plazhe të mrekullueshme. Edhe pse “Meia” do të thotë “Mesatar” në gjuhën portugeze, Meia Praia është plazhi më i madh në Lagos. Një plazh thuajse 5 km me rërë të artë, ku edhe në ditët e pikut të sezonit nuk do të jetë e vështirë të gjesh një vend për t’u çlodhur, duke ruajtur distancat e sigurisë.

Plazhi Jurmala – Letoni

Letonia është goditur 60 herë më pak nga koronavirusi krahasuar me vendet europiane më të prekura dhe është një ndër vendet me numrin e shtretërve spitalorë për frymë më të lartë në dispozicion. Plazhi Jurmala është një destinacion me etiketën “Eden”. Ky vlerësim jepet nga Komisioni Europian, që vlerëson destinacionet më të mira turistike të qëndrueshme në Europë.

Rrjeti Eden përfshin më shumë se 90 destinacione turistike të qëndrueshme. 3 km rërë e imët karakterizojnë një ndër destinacionet më të mira për mirëqenien e qëndrueshme në Europë. Udhëtimi në Jurmala do të jetë i paharrueshëm, si në rastin se qëndroni në një nga vilat e shumta prej druri në stil ‘art nouveau’, si në rastin se prenotoni një hotel me Spa, trajtime, masazhe etj.

Plazhi Nida – Lituani

Me 40 herë më pak raste me koronavirus krahasuar me vendet europiane më të prekura, Lituania është një vend i gjithi për t’u zbuluar. Në mesataren e lartë të numrit të shtretërve spitalorë për banor (vetëm Gjermania dhe Austria janë më mirë në Europë), spitalet lituanezë nuk janë mbingarkuar kurrë gjatë krizës shëndetësore, dhe mund të mirëpresin, nëse do të jetë e nevojshme, udhëtarët me probleme shëndetësore.

Për ata që dëshirojnë të shkëputen nga bota dhe të hyjnë në harmoni me natyrën në mënyrë të drejtpërdrejtë, plazhi Nida është zgjedhja e duhur për të kaluar pushimet. Vetëm një orë me makinë nga Klaipéda (4 orë nga kryeqyteti Vilnius), Nida ofron më shumë se 100 km rërë të imët, një plazh parajsë, thuajse i shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Në verë, aroma e pishave përzihet me aromën e ëmbël të jodit të detit. Ju mund të merrni biçikleta me qira e po ashtu të praktikoni sporte nënujore si kitesurf, windsurf etj.

Plazhi Binz – Ishulli Rügen, Gjermani

Nëse Gjermania ishte 10 herë më pak e goditur nga koronavirus krahasuar me disa vende europiane,
Landi i Mecklenburg-Vorpommern Perëndimor kishte veçanërisht 80 herë raste më pak me koronavirus krahasuar me vende të tjera të prekura. Me një plazh sublim 5 kilometra të gjatë, ndër më të bukurit dhe me të gjatët në Gjermani, Ishulli i Rügen është ndër destinacionet ideale për adhuruesit e natyrës. Binz është një ndër resortet më të njohura në këtë ishull, por ju mund të prenotoni edhe në Sellin apo Göhren apo në çdo pjesë tjetër të ishullit dhe nuk do të zhgënjeheni

Burimi: Forbes