Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kreu gjatë vitit 2019 pagesa në vlerë afër 1 milion euro pa ndonjë bazë të qartë ligjore. Bëhet fjalë për pensionet e dyfishta, e për të cilat sipas Auditorit të Përgjithshëm, nuk ka bazë ligjore.
Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale, janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilët përfitojnë edhe pensione tjera.
“Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe ndihmat sociale, kemi konstatuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë prej 991,852€ pa bazë të qartë ligjore”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë ministri.
Ministria kishte kryer pagesa të tilla edhe në vitet paraprake deri në muajin shtator 2018 kur edhe ishin ndërprerë ato, për tu kthyer përsëri me vendim të Qeverisë NR.12/82 të dt. 28.12.2018. Me këtë vendim ishte aprovuar vazhdimi i pagesave të pensioneve të dyfishta për FSK-në dhe TMK-në deri në interpretimin përfundimtar të ligjeve për skemat pensionale nga institucioni i ngarkuar me këtë kompetencë.
“Kjo praktikë e këtyre pagesave ka vazhduar edhe në vitin 2019, pasi që deri në përfundimin e auditimit për vitin 2019, ministria nuk kishte arritur të siguroj interpretim të bazës ligjore për skemat pensionale në fjalë apo të përditësojë kornizën ligjore aktuale, siç edhe parashihet me Strategjinë Sektoriale 2018-2022 të aprovuar nga Qeveria”, vlerëson Auditori.
Sipas Auditorit, pagesa e pensioneve për personat të cilët janë përfitues të më shumë se një skemë pensionale mund të shkaktojnë dëmtim të përfituesve të pensioneve apo dëmtim të buxhetit të ministrisë. /Buletini Ekonomik/









