Numri i rasteve të reja prej ditësh vijon të jetë relativisht i lartë. Sot është shënuar dita me numrin më të lartë të të prekurve në vend që nga fillimi i epidemisë. 48 raste janë konfirmuar në 24 orët e fundit nga 270 testime të kryera në Laboratorin e Virologjisë në ISHP për të dyshuar të prekur me Covid-19.
“Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Tiranë, Krujë, Fier, Durrës dhe Kamëz.
Shpërndarja e rasteve të reja është si vijon:24 raste në Tiranë, 8 në Krujë, 4 në Durrës, 3 në Fier, dy në Lezhë, dy në Pukë, tre në Kamëz, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Elbasan”.
Pesë qytetarë i janë shtuar listës të të shëruarve në 24 orë. Më shumë se 70% e të prekurve që nga fillimi i epidemisë janë shëruar.
Në spitalin Infektiv vijon të ketë shtrime të reja. Aktualisht po marrin shërbim 52 pacientë, prej tyre 7 janë në terapi intensive, një i intubuar.
389 persona vijojnë të jenë aktivë me Covid- 19, kryesisht në Tiranë, Shkodër e Krujë ku ka transmetime komunitare.











