Infektologu Lul Raka ka thënë se rritja e numrit të rasteve me koronavirus pas lirimit të masave është e pritshme.
Ai ka thënë se nëse rritja e numrit të rasteve të reja shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme është opsion real.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se numri i rasteve do të jetë në korrelacion me zbatimin e masave parandaluese nga secili qytetar i Kosovës.
Raka ka thënë se rezultatet e deritashme të menaxhimit të suksesshëm të kësaj pandemie kanë qenë kryekëput fryt i vetëdijesimit dhe përgjigjes së qytetarëve ndaj këshillave të MSH, IKSHPK dhe profesionistëve shëndetësorë.
“Rritja e numrit të rasteve pas lirimit të masave është e pritshme. Numri i rasteve do të jetë në korrelacion me zbatimin e masave parandaluese nga secili qytetar i Kosovës. Virusi është ende këndej pari dhe do të shfrytëzojë çdo pakujdesi tonën”, ka shkruar ai.
Ai ka rënditur disa nga këshillat që duhet ndjekur.
“Mbani distancën fizike gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim! Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë (autobus, qendra tregtare, vende të mbipopulluara me njerëz), vendosni maskat ose mburojat e fytyrës! Shmangni qëndrimin në brendi të lokaleve që janë përplot me njerëz. Mundësisht, qëndroni në terasa të këtyre lokaleve! Vazhdoni me higjienën e duarve”, ka shkruar ai.
“Përveç numrit të rasteve, faktor vendimtar mund të jetë struktura klinike e këtyre rasteve të reja. Nëse ato janë raste të lehta të kontaktit familjar (disa edhe asimptomatike), të cilat nuk kanë nevojë për hospitalizim, atëherë ato janë të menaxhueshme për sistemin shëndetësor dhe nuk ka nevojë për mbyllje të sërishme. Duhet vetëm kujdes i shtuar dhe zbatim i këshillave”, ka shkruar ai.









