Aktakuzë kundër tetë personave që dyshohet se pajisnin qytetarë me diploma e dokumente false

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër tetë pandehurve, M.H., D.G., A.R., M.B., D.M., E.Xh., F.Xh., dhe B.A., për shkak se ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas aktakuzës, gjashtë nga tetë të pandehurit që nga fillimi i vitit 2018 e deri më 9.10.2019, në Prizren, Prishtinë, Obiliq dhe Mitrovicë, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, me qëllim të përfitimit të pasurisë.

Siç njoftohet ata kanë falsifikuar dokumente për qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria dhe i kanë pajisur me diploma false të shkollave të mesme, në kundërvlerë të pagesave prej 1,300 deri në 2000 euro për diplomë.

Reklama e sponzorizuar

“Këtë e bëjnë deri më datë 09.10.2019, ku përmes aplikimit të masave të fshehta, përmes zyrtarëve të kamufluar dhe infiltruar, arrihet që nga ky grup të sigurohet diploma e lëshuar në emrin e personit nën kamuflimin, i cili aplikon te ky grup dhe merr diplomë kinse i njëjti ka kryer shkollën e mesme teknike ‘Hasan Tahsini’ në Obiliq, e gjithë kjo në kundërvlerë të pagesës së shumës për këtë të fundit prej 1,300 euro, me ç’rast të pandehurit M.H., dhe A.R., kapen në flagrancë nga zyrtarët policorë në momentin kur ishin duke bërë shkëmbimin e parave dhe diplomës së bashku me dëftesat shkollore të falsifikuara. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit M.H. dhe A.R., kapen në flagrancë duke bërë shkëmbimin e parave dhe diplomës së falsifikuar.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cila u vihet në barrë.