Gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, një ekspert mbështetës nga Zyra për Çështje të Komuniteteve ishte paguar me nga 6 mijë euro në muaj, për pesë muaj rend, edhe pas përfundimit të kontratës.
Ai kishte përfituar nga shteti gjithsej 30 mijë euro për 5 muaj, ndonëse nuk ekziston asnjë raport pune në angazhimin e tij që konfirmon ndonjë shërbim të ofruar nga ai pas kontratës, përcjell Buletini Ekonomik.
Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e auditimit për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2019, ka gjetur disa parregullsi brenda këtij organi shtetëror. Mes këtyre parregullsive, janë edhe parregullsitë e punësimit të tre zyrtarëve të kësaj Zyreje, që ishin punësuar sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta, për të cilët nuk ishin aplikuar procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit, por angazhimi i tyre ishte bërë direkt përmes lidhjes së marrëveshjeve në fjalë.
Ekperti mbështetës i Zyrës për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) ishte paguar me 6 mijë euro si kompensim mujor, edhe pasi angazhimi i tij për një projekt të financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë i kishte përfunduar, ku më pas Zyra për Çështje të Komuniteteve ia kishte vazhduar kohëzgjatjen e angazhimit si ekspert duke lidhur marrëveshje në baza mujore me një kompensim prej 6 mijë eurove për pesë muaj të tjerë.
Në marrëveshjen e lidhur mes këtij eksperti dhe ZÇK-së, sipas Auditorit të Përgjithshëm, ceket se eksperti angazhohet për kryerjen e shërbimeve profesionale por pa asnjë përshkrim të detajuar se çka nënkuptohet me këto shërbime.
Angazhime tjera ishin bërë edhe për dy pozita për Zyrtar administrativ në Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta. Për këta dy të fundit, ishin tejkaluar afatet e lejuara ligjore për angazhim, me ç`rast njëra kishte tejkalim gjashtë muaj, dhe tjetra një muaj.
E ZKA-ja, gjatë auditimit të këtij institucioni nuk ka gjetur asnjë raport pune brenda periudhës së angazhimit që konfirmon shërbimet apo ekspertizën e ofruar nga ana e ekspertit mbështetës.
Sipas ZKA-së, angazhimi i këtyre zyrtarëve për më shumë sesa gjashtë muaj, është në kundërshtim me dispozitat ligjore, dëmton konkurrencën dhe rritë rrezikun e angazhimit të stafit jo kompetent për shërbimet e kërkuara.
Gjithashtu, nga ZKA-ja theksojnë se pagesat e kryera për ekspertin mbështetës me “Marrëveshjen për Shërbimet e Veçanta” pa asnjë raport pune brenda muajit, mund të karakterizohen si pagesa të parregullta, dhe cilësohen si kompensime jashtë kritereve. /Buletini Ekonomik/