Ekspertët e ekonomisë në Gjermani parashikojnë se vendi në sektorin e prodhimit do të pësojë humbje prej 390 miliardë euro për shkak të pandemisë së COVID-19,.
Instituti i Ekonomisë Botërore në Kiel (IfW) publikoi raportin për pasojat e mundshme të pandemisë së COVID-19 në ekonominë gjermane, me referencë të veçantë për pasojat në sektorin e prodhimit.
Raporti tha se sektori gjerman i prodhimit në vitin 2020 dhe 2021 do të shënojë humbje me vlerë prej 390 miliardë euro.
Ekspertët e IfW-së parashikojnë që ekonomia gjermane këtë vit mund të përfundojë me rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 6.8 për qind ndërsa në vitin 2021 pritet të realizohet rritje ekonomike prej 6.3 për qind.
IfW kritikoi pakon e ndihmës të aprovuar nga qeveria gjermane për sanimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga COVID-19, duke pohuar se përqendrimi i ndihmës nuk është vendosur në segmentin më të rëndësishëm të krizës.
Duke potencuar se pjesa më e rëndë e shkaktuar nga pandemia është pas nesh, ekspertët e IfW-së pohojnë se nevojitet kohë për rimëkëmbjen e sektorit të prodhimit dhe se Gjermania në tremujorin e dytë mund të përfundojë me një rënie ekonomike nën 12 për qind.
Po ashtu ekspertët parashikojnë se numri i të punësuarve në Gjermani në fund të këtij viti do të ulet nga 45.2 në 44.5 milionë. Ata parashikojnë se eksporti gjerman në fund të këtij viti do të përjetojë rënie prej 12.5 për qind ndërsa vitin e ardhshëm rritje prej 8.7 për qind.
Gjithashtu është konfirmuar rritje e deficitit buxhetor në Gjermani në fund të këtij viti në 192 miliardë euro, por që në vitin e ardhshëm ky deficit do të ulet në 111 miliardë euro.