Komisioni Evropian ka propozuar të martën një rritje të fondeve IPA në buxhetin afatgjatë të BE për të mbështetur integrimin evropian të rajonit dhe njoftoi investime shtesë për të zvogëluar hendekun midis vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate.
14.5 miliardë euro është shuma që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia mund të mbështeten nëse propozimi i ri i Komisionit Evropian merr ‘dritën e gjelbër’. Kjo është një rritje prej 13 për qind në krahasim me periudhën e kaluar shtatëvjeçare.
Për më tepër, Komisioni Evropian propozon që vendet e rajonit të kenë qasje në Fondin Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm prej afro 100 miliardë eurosh.
U propozua gjithashtu që buxheti aktual i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e tjera nga e ashtuquajtura lagje jugore dhe lindore, të sigurojë një miliard euro të tjera, të cilat duhet të jenë në dispozicion para fundit të këtij viti.
Paratë kanë për qëllim të mbështesin stabilitetin financiar të rajonit, të ndihmojnë ekonominë dhe të krijojnë kushte për rritje ekonomike dhe vende të reja pune në rajon pas krizës.
Komisionari i Zgjerimit, Oliver Varhelyi bëri të ditur se detajet do të dihen në vjeshtë.
“Buxheti aktual dhe i ardhshëm afatgjatë dhe Fondi i Rimëkëmbjes përfshijnë Ballkanin Perëndimor në një mënyrë të konsiderueshme dhe të forcuar. Kjo është bërë saktësisht për të shmangur zgjerimin e hendekut ekonomik, dhe paketa e investimeve ekonomike që do të paraqesim në vjeshtë ka për qëllim të zvogëlojë këto ndryshime sa më shpejt të jetë e mundur,”tha ai.
KE ka publikuar një propozim të hollësishëm të buxhetit për punët e jashtme, i cili ende nuk do të marrë ‘dritën e gjelbër’ në Këshillin Evropian.
Sidoqoftë, nuk ka gjasa që kjo të ndodhë, pasi që Brukseli do të paraqesë propozime të tilla të hollësishme vetëm kur të arrihet një marrëveshje midis shteteve anëtare në nivele më të ulëta.