Pas heqjes së masave të reciprocitetit, mallrat serbe futen lehtësisht në Kosovë

Importuesit nga Serbia janë futur pa problem në dielën në Kosovë. Në dokumentacionin e tyre ata nuk janë obliguar që t’i referohen Kosovës si Republikë, e as të kërkojnë leje nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd për të hyrë në Kosovë. Ata nuk i janë nënshtruar as taksës. Kjo, pasi të gjitha këto vendime janë shfuqizuar nga Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti vetëm 3 ditë pas ardhjes në pushtet.

Qeveria e Avdullah Hotit një ditë më parë, në një mbledhje të kabinetit qeveritar, pa votat e partnerit të koalicionit AAK-së, ka hequr masat e reciprocitetit, siç ka thënë, për të vazhduar dialogun me Serbinë pa asnjë pengesë, raporton KOHA. 

E pas këtij vendimi, vetëm gjatë ditës së diel 5 maune me mallra nga Serbia janë futur në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili ka thënë se pasi vendimi është marrë gjatë vikendit nuk ka numër të madh të mallrave që janë futur në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Por edhe pas ashpërsimit të masave të reciprocitetit nga ish-Qeveria Kurti, 20 maune me mallra nga Serbia, të cilat në dokumentacione iu referuan Kosovës si Republikë janë futur në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ka thënë se pret ardhjen e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.