Nëse LV-ja dhe PDK-ja pajtohen, AKR-ja e shqyrton seriozisht mocionin

Kryetari i Kuvendit i Aleancës Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka treguar se kjo parti politike ka pasur dhe ka oferta për t’u bërë pjesë e qeverisë.

Ai ka deklaruar se qëndrimi i kësaj partie është që nga pozicioni opozitar t’i mbështesë proceset që janë në interes për vendin.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Matoshi ka bërë me dije se AKR-ja bëhet pjesë e ekzekutivit vetëm në një qeveri gjithëpërfshirëse.

Reklama e sponzorizuar

“AKR-ja ka pasur dhe vazhdon të ketë ofertë që të jetë pjesë e qeverisë. Ka qenë vendimi ynë që të rrimë në opozitë dhe t’i mbështesim proceset nga aty. E kemi votuar qeverinë Kurti dhe atë Hoti për t’u dhënë mbështetje atyre. Jemi pro përfshirjes në qeveri nëse arrihet një marrëveshje që të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse ose në bazë të gjerë, këtë mundësi nuk e përjashtojmë”, ka thënë Matoshi.

Duke komentuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të iniciuar nga LV-ja, ai ka thënë se votat e kësaj parti për mocionin varen nga marrëveshja e LV-së me PDK-në.

Sipas Matoshit, nëse LV-ja dhe PDK-ja merren vesh për mocionin, atëherë edhe AKR-ja do ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje. “Ende nuk i kemi parë detajet e mocionit të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje. E vlerësojmë bashkëpunimin e mundshëm të partive opozitare LV e PDK dhe në rast se dy partitë merren vesh për mocionin, atëherë edhe ne do ta shqyrtojmë seriozisht”, ka deklaruar ai.

Ai ka deklaruar se këto subjekte politike duhet t’i përcaktojnë edhe hapat pas mocionit të mosbesimit. “Ky mocion duhet qartë të përcaktojë edhe hapat pas tij. Jemi në mes të pandemisë dhe subjektet politike që ishin kundër zgjedhjeve duhet ta argumentojnë fuqishëm idenë për zgjedhje të reja në këtë kohë”, është shprehur Matoshi.

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Sipas Matoshit, dialogu në mes të këtyre dy shteteve duhet të zhvillohet pas marrëveshjes përfundimtare.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje të shpejtë me të cilën Serbia detyrohet ta njohë shtetin e Kosovës fillimisht, pastaj të zhvillohet një dialog që duhet të fokusohet në ekonomi dhe çështje të tjera. Rikthimi i dialogut në tema të veçanta në Bruksel nuk garanton marrëveshjen finale. Është shumë e nevojshme që të ketë përfshirje dhe rol udhëheqës të ShBA-së në dialog”, ka thënë Matoshi.

“Epoka e re”: Z. Matoshi, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. A e përkrah AKR-ja këtë mocion?

Matoshi: Ende nuk i kemi parë detajet e mocionit të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje. E vlerësojmë bashkëpunimin e mundshëm të partive opozitare LV e PDK dhe në rast se dy partitë merren vesh për mocionin, atëherë edhe ne do ta shqyrtojmë seriozisht. Ky mocion duhet qartë t’i përcaktojë edhe hapat pas tij. Jemi në mes të pandemisë dhe subjektet politike që ishin kundër zgjedhjeve duhet ta argumentojnë fuqishëm idenë për zgjedhje të reja në këtë kohë.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për punën e deritashme të qeverisë Hoti?

Matoshi: Qeveria kryesisht është duke u fokusuar në menaxhimin e situatës me Covid-19 dhe për këtë nevojitet mbështetje nga të gjithë. Jetët e njerëzve dhe ekonomia jonë po rrezikohen përditë. Është një situatë më serioze sesa që po vlerësohet. Janë disa veprime jo të mira të kësaj qeverie. Po e zëmë, në të njëjtën ministri emërohen deri në tre zëvendësministra nga një parti politike. Edhe në qeverinë Haradinaj kjo ishte një nga dështimet. Mendoj se kryeministri Hoti duhet të reflektojë sa më parë dhe të ndërpresë këtë praktikë.

 “Epoka e re”: Partnerët e koalicionit qeverisës dhe partitë opozitare kanë shprehur qëndrime të ndryshme për rifillimin e dialogut Kosovë – Serbi. Cili është qëndrimi i AKR-së për këtë proces?

Matoshi: Dialogu duhet të zhvillohet pas marrëveshjes përfundimtare. Ne kemi nevojë për një marrëveshje të shpejtë me të cilën Serbia detyrohet ta njohë shtetin e Kosovës fillimisht dhe pastaj të zhvillohet një dialog që duhet të fokusohet në ekonomi dhe çështje të tjera. Rikthimi i dialogut në tema të veçanta në Bruksel nuk garanton marrëveshjen finale. Është shumë e nevojshme që të ketë përfshirje dhe rol udhëheqës të ShBA-së në dialog.

“Epoka e re”: Kjo qeveri, përveç me pandeminë dhe procesin e dialogut me Serbinë, pritet të përballet edhe me sfidën e Gjykatës Speciale. Sa besoni se një qeveri e brishtë me numra në Kuvend mund të përballet me këto sfida?

Matoshi: Në Kosovë po ndodhin shumë gjëra të këqija. Ne si parti nuk e imagjinojmë dhe as nuk planifikojmë asnjëherë që në tema si pandemia, dialogu e Gjykata Speciale të sillemi e veprojmë si subjekte politike veç e veç. Këto janë sfida të të gjithëve. Janë sfida të Kosovës. Kemi mjaft hapësirë e arsye të tjera për ta luajtur rolin e opozitës. Nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës një sjellje të këtillë dhe një ndarje kaq të madhe mes grupesh të ndryshme të shoqërisë për tema nacionale e të cilat do të duhej të ishin arsye që të jemi shumë të bashkuar. AKR-ja dhe presidenti Pacolli, pavarësisht se kush do ta drejtojë qeverinë, në tema të këtilla do të jenë përherë konstruktivë.

“Epoka e re”: Në këto rrethana po diskutohet edhe mundësia e zgjerimit të koalicionit qeverisës. A mund t’i bashkohet AKR-ja koalicionit qeverisës?

Matoshi: AKR-ja ka pasur dhe vazhdon të ketë ofertë që të jetë pjesë e qeverisë. Ka qenë vendimi ynë që të rrimë në opozitë dhe t’i mbështesim nga aty proceset. E kemi votuar qeverinë Kurti dhe atë Hoti për t’u dhënë mbështetje atyre. Jemi pro përfshirjes në qeveri nëse arrihet një marrëveshje që të kemi një qeveri gjithëpërfshirëse ose në bazë të gjerë. Këtë mundësi nuk e përjashtojmë.