Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka folur në seancën e sotme plenare për efektet e pandemisë në ekonominë dhe sistemin shëndetësor të vendit.
“Gjendja e disfavorshme me COVID -19, pavarësisht heqjes së masave kufizuese, vazhdon të jetë edhe më tej e rënduar, qoftë sa i përket numrit të personave të infektuar, po ashtu edhe në kuptimin e rënies ekonomike. Pra gjersa flasim këtu, numri i rasteve të reja në Kosovë vazhdon të rritet. Tashmë numërohen mbi 354 raste aktive me koronavirus, duke shtuar rrezikun që të shpërthejnë edhe vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës”, ka thënë Tolaj.
Ai ka thënë se shtimi i numrit të të infektuarve ditët e fundit, mund ta mbingarkoj sistemin shëndetësor.
“E të gjithë ne jemi koshient, se shtimi tej mase i numrit të të infektuarve me virusin SARS-COV-2, mund të mbingarkoj sistemin shëndetësor edhe ashtu të brishtë, dhe të sjell pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim”, ka theksuar ai.
Tolaj ka thënë se “është për keqardhje se si Kosova nuk ka informacione për rënien e mundshme ekonomike si pasojë e pandemisë”. Ai ka cituar raportin e Bankës Botërore, ku thuhet se Kosova mund të pësojë rënie ekonomike deri në 4.5%, si pasojë e pandemisë.
“Megjithatë, është për të ardhur keq, se si Kosova ndonëse në një situatë të tillë, edhe më tutje vazhdon të mos ketë informacione të sakta për rënien ekonomike, ngase Qeveria paraprake, asnjëherë nuk arriti të nxjerr një shifër të saktë zyrtare, se sa mund të ketë qenë dëmi që i është bërë ekonomisë së vendit, që nga vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Tashmë jemi dëshmitar se masat e marra, nga ish kabineti qeveritar, për ta ndihmuar ekonominë janë të pamjaftueshme dhe me vonesa në zbatimin e tyre”, tha ai.
Lushtaku i PDK-së fton Prokurorinë “të hetojë takimin e Haki Abazit me zyrtarë të BIA-s”
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lashtaku, ka thënë se do të ngris një shqetësim siç ka theksuar, rreth lidhjes misterioze dhe sekrete të ish-Qeverisë Kurti, me zyrtar të BIA-s dhe Qeverisë serbe.
“Kjo gjë rrezikon interesin shtetëror të vendit, kjo ka të bëjë me ish zevendëskryeministrin Haki Abazi, i cili kishte ardhur frik në Vetëvendosje dhe në pozitat që ju dhuruan nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti”, është shprehur Lushtaku, raporton KOHA.
Ai ndër të tjera e ka pyetur Abazin “se sa i ka kushtuar blerja e postit të zëvendëskryeministrit nga Kurti dhe me cilat para e kishte blerë atë”.
Lushtaku ka ftuar Prokurorinë që ta ftojë si dëshmitar presidentin Hashim Thaçi, siç ka thënë ai, “për të dhënë detaje lidhur me takimin e Abazit me zyrtarë serb të BIA-së në Kopaonik”.
Çeku: Prej kur qeveria ilegale u ul në karrige asgjë normale në Kosovë nuk po ndodh
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Hajrulla Çeku, ka thënë se seanca është përpjekje e Qeverisë së re për të imponuar përshtypjen e normalitetit sikurse në Kosovë të mos ketë ndodhur asgjë.
“Qeveria ilegale e cila nuk doli as nga votat e qytetarëve e as nga vota e deputetëve po synon të inskenojë një zakonshmëri, në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet edhe barazia edhe liria, nga tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, e deri te delegimi i dialogut tek presidenti, e deri tek mashtrimi i premtimit për reciprocitet, asgjë normale nuk është duke ndodhur që nga dita kur jeni ulur në këto karrige”, është shprehur Çeku, raporton KOHA.
Ai ka thënë se e kanë për detyrë që t’i demaskojnë për çdo ditë.
“Ju mbase mund t’i mbani zyrat e qeverisë të uzurpuara për ca kohë, por të vërtetën nuk mund ta tjetërsoni. Qytetarit ia kërkuar votën për reciprocitet me Serbinë, për ta hequr atë më nxitim të madh dhe të pashpjegueshëm ”, ka theksuar Çeku.
Zv.km Balaj: Kur mora postin në qeveri në zyre nuk gjeta flamuj të Kosovës e deklaratën e Pavarësisë
Zëvendëskryeministrja nga Nisma Albulena Balaj, tha se kur ka hyrë në zyrën pasi mori postin, nuk ka gjetur flamuj të Kosovës e as deklaratën e Pavarësisë.
“Kur kam hyrë në zyrën time në qeveri nuk ka pasur flamuj e as deklaratë të pavarësisë sepse dikush i ka hequr. Ndoshta nuk janë të nevojshme në ditët e para, po presim që administrata ta mbush zyrën. Dikush iu ka hequr nga zyra”, tha ajo, raporton KOHA.
Memli Krasniqi nga PDK-ja tha se “Numri 2 dha deklaratë shqetësuese. Ai kërkoi nga Balaj të sqarohet se për cilat zyre bëhet fjalë.
“Ka qenë shqetësuese kur kam hyrë në qeveri dhe kam parë zyre të shkatërruara. Nuk e di në cilën zyre kam hyrë, e kujt ka qenë, zyra ka qenë e shkatërruar. Administrata ka qenë e shkatërruar”, tha ajo.
Selimi i quan shpifje deklaratat e Balajt për ‘heqje të flamujve në zyrat e qeverisë’
Në reagimin ndaj deklaratave të zëvendëskryeministres Albulena Balaj, Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se të gjitha këto janë shpifje dhe të pavërteta.
“Nuk e di se në cilën zyre ka shkuar zëvedëskryeministrja dhe në cilën zyre është sot, nuk e di a e din edhe kjo në cilën zyrë ka shkuar, por këto janë shpifje”, ka theksuar Selimi, raporton KOHA.
Musliu: Qeveria Kurti – qeveri shkurti, Rexhaj: Qeveria Hoti – qeveri koti
Arben Gashi i LDK-së ka kërkuar që deputeti i LVV-së Arbër Rexhaj që të ketë kujdes në gjuhën e përdorur, ose të përjashtohet nga salla.
“Në bazë të kodit të mirësjelljes, deputetët duhet të përdorin gjuhë parlamentare”, ka thënë Gashi në Kuvend, raporton KOHA.
Rexhaj e quajti Qeverinë Hoti “qeveri koti”.
“Po shmanget debati rreth asaj se kjo ‘qeveri koti’ varet nga Lista Serbe. Shihni varësinë ndaj Listës Serbe dhe lërini çështjet logjistike”, kishte thënë Rexhaj.
Ndërkohë deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu i është bashkuar këtij debati.
Ajo qeverinë e mëparshme Kurti e ka quajtur “Qeveria Shkurti”.