400 të testuar për COVID-19 të martën, rezultatet publikohen sot

400 mostra janë marrë për t’u testuar për COVID-19 të martën, rezultatet e të cilave do të bëhen të ditura nesër në orën 15:00, është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ky institut, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se pikërisht në orën 15:00 tani e tutje do të bëhen të ditura shifrat e të infektuarve, të shëruarve dhe të vdekurve.

“Me qëllim të informimit në një kohë sa më të përshtatshme për publikun për rezultatet e testimeve për SARS-COV-2 nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës; përkatësisht për numrin e mostrave të analizuara, numrin e atyre që rezultojnë pozitiv në Covid-19, numrin e të shëruarve, numrin e të vdekurve, numrin e rasteve aktive si dhe shpërndarjen e tyre sipas komunave, duke filluar nga dita e nesërme, 15 korrik 2020, ky informacion do të ndahet me publikun çdo ditë në ora 15:00, qoftë përmes konferencave për media, lidhjeve të drejtpërdrejta apo formave të tjera të përshtatshme për publikun”, shkruhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Deri më tash në Kosovë janë shënuar 5118 raste me koronavirus, ndërsa kanë vdekur 108, pa përfshirë rastet e sotshmne të bëra të ditura nga spitalet regjionale veç e veç.