Bajrami: Brenda disa javësh qytetarët mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se pret që për disa javë apo pak më shumë se një muaj, qytetarëve t’u mundësohet të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi Pensional.

Sipas saj, kjo do të bëhet me një aplikacion të thjeshtë e procedurë të lehtë.

Ajo ka thënë në Interaktiv se është duke u hartuar një ligj që ua mundëson qytetarëve të bëjnë këtë tërheqje për shkak të situatës së rënduar ekonomike si pasojë e goditjes nga pandemia.

Reklama e sponzorizuar

“Në buxhetin e rishikuar kemi minus 230 milionë euro të të hyrave të rregullta. Sektori privat është goditur më së shumti. Kemi bë përpjekje të mos fshijmë asnjë projekt kapital që të ketë punë për sektorin privat. Në pakon për rimëkëmbje ekonomike, tashmë e votuar nga Qeveria, masa 5 flet për stimulimin e kërkesës agregate që ka të bëjë për hapjen e Trustit për 10 për qind dhe kjo masë është e aprovuar. Kemi dhënë kërkesa të qarta që kjo të implementohet sa më shpejtë. Është një grup punues që po harton ligj horizontal që nënkupton se Qeveria përmes Parlamentit do të pezullonte disa nene apo ligje të caktuara. Do të ishte në fuqi për shembull deri më 31 dhjetor 2021. Me këtë ligj do të bënim ndryshime të Ligjit të Trustit e qytetarëve do t’u krijohej mundësia të tërhiqnin deri 10 për qind jo më shumë. Llogaritet se deri 200 milionë euro do të hynin në treg. Do të jetë në baza vullnetare. Atyre u ngelet 90 përqindëshi, e kemi biseduar me Trustin sepse këto janë të investuara. Tregjet edhe mund të dobësohen tutje. Kemi biseduar me Trustin. Kjo nuk shkakton probleme në planet e investimeve të tyre. Prej fondit dy miliardë po tërhiqen potencialisht 200 milionë sepse ka njerëz që s’duan të tërheqin. Është në baza vullnetare”, ka deklaruar ajo.

“Kemi pas takime ma BQK-në e Trustin e po mendojmë të bëhet me aplikacion të thjeshtë për t’u kyçur në Trust për të parë sa kanë mjete, të aplikojnë të tërheqin 10 përqindëshin e në bankën më të afërt të tërheqin mjetet. Po bisedojmë edhe me BQK-në që masa të jetë shumë e thjeshtë. Sapo të kemi ligjin e kaluar po presim të punohet në këtë platformën e qytetarët të tërheqin mjetet”, ka shtuar Bajrami.

Ajo ka refuzuar të japë afate kohore se kur mund të ndodhë kjo, por ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të jetë në dispozicion për qytetarët për disa javë ose më shumë se një muaj.

“S’mund të flas me periudha kohore, por kjo është vendosur, do të bëhet, është në program dhe sapo ta kemi ligjin gati e të jetë platforma, brenda disa javësh ose më shumë se një muaj do të jemi në gjendje të tërheqim mjetet. Trusti duhet të shesë aksione e të bëjë ‘cash’ 200 milionë që t’i kthejë në vend e t’ua japë qytetarëve. Në aspektin teknik është e mundshme”, ka deklaruar ajo.