Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) janë duke rritur mbështetjen e tyre për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në Ballkanin Perëndimor përmes sigurimit të financimit shtesë, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Banka do të sigurojë deri në 70 milionë euro në linja të reja kredie për institucionet financiare partnere për kreditim të bizneseve lokale në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi. BE-ja do t’i shtojë këto fonde me 15 milionë euro për të identifikuar dhe verifikuar pajisjet dhe teknologjitë më të mira të disponueshme që sigurojnë rritjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve dhe që mbështesin zhvendosjen drejt një ekonomie të gjelbër.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë reaguar ndaj shpërthimit të pandemisë së koronavirusit me masa të rrepta të shëndetit publik, të cilat kanë pasur një ndikim të rëndë ekonomik. Këto vende e kanë pësuar edhe nga pasojat e rënies ekonomike globale dhe uljes së kërkesën për produktet e tyre.
BERZH-i dhe BE-ja, përmes Ekipit Evropë, mbështesin NVM-të në ambicien e tyre për t’u bërë më konkurrues dhe për të gjetur zgjidhje inovative për t’u përballuar me sfidat e reja. Fondet do të sigurojnë që bizneset jetike të vazhdojnë të kenë qasje adekuate në financim, të plotësojnë standarde të larta të prodhimit, dhe të jenë të pozicionuar mirë për të përfituar nga mundësitë për eksport që u ofrohen në rajon dhe në tregun evropian.
“Ne jemi të përkushtuar fuqimisht për të mbështetur bizneset gjatë këtyre kohërave të vështira,” thotë Pierre Heilbronn, Zëvendës President i BERZH-it për Politika dhe Partneritetet. “Fondet tona shtesë do të japin mbështetje për rimëkëmbjen, rritjen dhe përgatitjen e tyre për të ardhmen. Ky angazhim është edhe dëshmi e partneritetit dhe bashkëpunimit tonë të fortë me BE-në në Ballkanin Perëndimor.”
Olivér Várhelyi, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, tha: “Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë jetike për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, dhe janë veçanërisht të goditura nga kjo krizë. Kjo është arsyeja pse po rrisim mbështetjen tonë për NVM-të, duke u bazuar në bashkëpunimin tonë të gjatë me BERZH-in në rajon, jo vetëm që t’i mbajmë gjallë bizneset, por edhe që të forcojmë qëndrueshmërinë e tyre dhe të mbjellim farat për një rimëkëmbje të qëndrueshme.”
BERZH-i është një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në Ballkanin Perëndimor. Deri më tani, ka investuar mbi 13 miliardë euro në më shumë se 700 projekte, përfshirë në infrastrukturën kyçe, segmentet e NVM-ve dhe ekonominë e gjelbër.