CDU: Kosovën dhe Serbinë e presin vendime të vështira

Partia e kancelares gjermane Angela Merkel, ka thënë se Kosovën dhe Serbinë e presin “vendime të vështira”. Ky parashikim i Unionit Kristian-demokrat (CDU) është bërë në njoftimin për shtyp të kësaj partie, pas “samitit virtual” të Parisit, pjesë e të cilit ishte edhe Merkel.

“Normalizimi i raporteve e bën të sigurtë tërë Ballkanin. Ai është esencial për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e së drejtës. Megjithatë, Kosovës dhe Serbisë do t’i duhet të marrin dhe të zbatojnë edhe shumë vendime të vështira”, shkruhet në njoftimin e kësaj partie, teksa të dyja shteteve ua ofron përkrahjen.

CDU-ja e ka quajtur “të suksesshëm” video-konferencën e së premtes në Paris.

Reklama e sponzorizuar

“Pas një ndërprerjeje të gjatë, ky samit ishte një fillim i suksesshëm për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai kishte ngecur gati pesë vjet, me ç’rast gjendja në të dyja shtetet në rajon ishte përkeqësuar”, shkruhet në njoftim.

Për CDU-në, rrjedhimisht është pozitive që BE-ja po mundohet ta shtyje përpara një marrëveshje midis Kosovës e Serbisë.

“… tashmë ka marrëveshje për takimet e para të premten, dhe pastaj të enjten”, shkruan në njoftim.