Nga dje ka hyrë në funksion rrjeti i përbashkët elektro-energjetik Kosovë-Shqipëri

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar se nga sot ka hyrë në funksion rrjeti i përbashkët elektro-energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në një konferencë për media, pas takimit dyditor me liderët politikë të Kosovës, ai ka thënë se ky është investimi më i madh në tregun e përbashkët energjetik.

Që nga dje Kryeministri i Shqipërisë është në vizitë në Kosovë, ku ka takuar përfaqësues politikë kosovarë. Pas përfundimit të takimit ku pritet të niset për në Shqipëri, ai ka folur për mediat.

Nga aty, ai dha lajmin për hyrjen në fuqi të rrjetit të përbashkët elektro-energjetik dhe investimit të interkoneksioni Kosovë-Shqipëri.

Reklama e sponzorizuar

Këtë Rama e quajti lajm të rëndësishëm dhe të gëzueshëm.

“Kemi konfirmuar një lajm shumë të rëndësishëm lidhur me hyrjen përfundimisht në funksion të rrjetin e përbashkët elektro-energjetik dhe të investimit të madh për interkoneksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, falë edhe përfshirjes përfundimisht të Kosovës në tregun e përbashkët Energjetik. Është një lajm i gëzueshëm për faktin se e dimë shumë mirë se sa kohë na është dashur të presim prej që kur vëmë në lëvizje investimin e madh. Edhe kur e përfunduam atë ishte një sistem llambash me çelës të mbyllur. Dhe nga sot hynë plotësisht në funksion”, tha Rama para mediave.

Edi Rama, pas përfundimit të takimeve me përfaqësues politikë të Kosovës ka folur rreth aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari të PDK-së, Kadri Veseli.

“Dua ta bëj të qartë faktin se jam këtu, në funksion të një nevoje kombëtare, për t’i dhënë mbështetje të plotë Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesve politikë në kushtet kur ka ndodhur diçka e rëndë dhe thellësisht e padrejtë”, tha Rama.

Rama ka thënë se kushdo që mendon se aktakuza është bërë si akt ndaj disa personave apo për të shfrytëzuar këtë si instrument për pastrimin e skenës politike, është një mendim i verbuar mllefi.

Kujtojmë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).

Operimi si bllok rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik.