Pandemia COVID-19 godet bizneset në Kosovë, rreth 800 milionë euro më pak qarkullim financiar

Qarkullimi i bizneseve në vend ka rënë rreth 800 milionë euro vetëm brenda tre muajve në pandemi. Ndonëse çdo ditë e më shumë po vështirësohet veprimtaria e bizneseve, kërkohet nga Qeveria e Kosovës që të gjejë forma dhe mundësi për të futur para në funksion për mbështetjen qytetarëve dhe në mënyrë që të ruhen edhe vendet e punës.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress se COVID-19 pati një ndikim të theksuar edhe në aspektin ekonomik që çojë në rënie të qarkullimit financiar të kompanive.

Murtezaj thotë se në muajin mars ka pasur 16 për qind rënie të qarkullimit, në prill 41 për qind dhe në muajin maj 28 përqind. Përderisa në qershor rënia e qarkullimit, sipas tij ka qenë më e lehtë.

Reklama e sponzorizuar

“COVID-19 përveç ndikimeve në shumë sfera si në aspektin shëndetësor dhe ekonomik, një ndikim të theksuar ka dhënë edhe në pagesën e tatimeve në këtë rast nga dhënat zyrtare që ne i posedojmë kemi një rënie të theksuar të qarkullimit gjatë këtyre tre muajve, mars-prill-maj dhe shihet që edhe qershori. Në muajin mars kemi një rënie të qarkullimit në raport me marsin e vitit 2019 për 142 milionë euro. Në muajin prill kemi 378 milionë euro, në maj 268 milionë euro, që totali i rënies së qarkullimit për këta tre muaj është mbi 791 milionë euro qarkullim më të ulët sesa periudha e njëjtë e vitit 2019”, thekson ai.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj thotë për KosovaPress se rënia e qarkullimit në sektorin e shitjes me pakicë ka rënë mbi 120 milionë euro dhe çdo ditë e me shumë, sipas saj është më e vështirë për të mbijetuar këto biznese.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e shtetit për bizneset, pasi që kufizimi nga masat mbrojtëse anti-COVID-19, veçanërisht në gastronomi ka ndikuar edhe në mbylljen e vendeve të punës.

“Jemi duke folur për mbijetesë të bizneseve ku çdo ditë po e është më e vështirë, duke marrë parasysh që prej institucioneve shtetërore nuk është ende përkrahja. Pako emergjente e cila është folur, ne tash jemi në mes të korrikut ka masa që ende nuk janë ekzekutuar. Kjo është duke vështirësuar krejt procesin e mbarëvajtjes së punës…Anëtarët tanë nga kategoritë të ndryshme, janë edhe marketet. Konsumi nëse ka rënë për 25 përqind, kjo ka ndikuar në 20 përqind të qarkullimit, nëse flasim për gastronomi, atëherë numrat janë edhe më të mëdhenj për arsye se ka pasur ndalesë të tërësishme brenda një periudhe të caktuar. Tregtarët të tjerë me pakicë me mobilieri ose teknologji, kështu që varësisht prej industrisë, prej kategorisë dallon edhe përqindja e rënies së qarkullimit. Nëse përafërsisht anëtarët tanë kanë qarkullimin prej 600 milionë euro, atëherë 20 përqindëshi i rënies i bie diku 120 milionë euro”, thotë ajo.

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu pohon se është momenti i fundit që institucionet e shtetit duhet ta mbështesin sektorin privat për të shtuar qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e prodhimit.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës i propozon qeverisë që ta hulumtojë mundësinë e gjetjes së parasë për të futur në funksion.

“Nëse nuk do të kemi rritje të konsumit, atëherë si mund të kemi një tregti të mirëfilltë, si mund të kemi qarkullim dhe rritje të prodhimit. E tëra kjo është një indeks zinxhirë që vërtet po e ngufat ardhmërinë e Kosovës. Dua të besoj që rekomandimi kryesor për qeverinë e Kosovës është të hulumtojë mundësitë e gjetjes së parasë për t’i futur në funksion. Tani është koha kur dora e shtetit duhet të jetë në funksion të shtetit, në funksion të zhvillimit ekonomik, në funksion të biznesit dhe qytetarëve të Kosovës”, thotë ai.

Ai në fund thekson se nuk duhet të rezistohet për sa i përket rritjes së borxhit publik, sepse me Ligjin për financa publike mundëson hua marrje deri 40 për qind të PBB-së.