Qeveria, në mbledhjen e 15-të, të mërkuren, ka miratuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se përmes këtij projektligji plotësohen dhe ndryshohen disa ligje të tjera.
Sipas Bajramit, përmes plotësimeve të bëra qytetarëve te Kosovës do t’iu mundësohet tërheqja e kursimeve prej 10 përqind nga Trusti pensional.
Në anën tjëtër, projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike kryeministri Hoti e cilësoi kryesor për zbatimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Në po këtë mbledhje, Qeveria e ka themeluar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenareve për çështjet e reformës në sistemin e drejtësisë, me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe vettingun.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë se ky grup do të jetë gjithëpërfshirës.
Hoti njofton ministrat për aktivitetet rreth dialogut
Kryeministri Avdullah Hoti ka prezantuar gjatë mbledhjes së Qeverisë, të mërkuren, një përmbledhje të të gjitha aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të procesit të dialogut.
Duke folur për emërimin e koordinatorit shtetëror për dialogun, Hoti ka thënë se ai është i ngarkuar me organizimin e gjithë procesit të bisedimeve me Serbinë.
“Mbi bazën e platformës që e kemi dakordu mes kabinetit qeveritar janë mbajtur diskutimet deri më tash, duke filluar nga Samiti i Parisit. Në këtë samit unë kam prezantuar në detaje platformën tonë me Serbinë. Pas raportimeve në samitin e Parisit më 12 korrik është mbajtur videokonferenca, ku të dy palët kemi prezantuar qëndrimet e jemi dakorduar pastaj për takimin për të diskutuar për dy çështjet për personat e pagjetur dhe për aspektin ekonomik. Sa herë që të kemi diskutime të tilla unë do ju mbaj të informuar. Kam emëruar dje koordinatorin shtetëror i cili ka marrë përsipër të gjithë organizimin e këtij procesi të rëndësishëm”, ka thënë Hoti në fillim të mbledhjes së kabinetit të tij.