Von Cramon iu përgjigjet kritikave për vizitën në Hagë: Ju e votuat Gjykatën Speciale

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka shfaqur shpresën që brenda gjashtë muajve, gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Evropian e cila ka nisur më 1 korrik të këtij viti, mund të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Von Cramon, ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të varet nga një vendim i arsyeshëm i Këshillit Evropian dhe shteteve anëtare, “të cilat mund të jenë mjaft kritike, jo pse nuk e duan Kosovën, por për shkak të opinionit të tyre të brendshëm”.

Sipas saj, disa parti të krahut të djathtë në vendet sikurse Holanda ose Franca, po e shfrytëzojnë çështjen e liberalizimit të vizave për nevoja të tyre të brendshme.

Reklama e sponzorizuar

Por, Von Cramon ka shfaqur shpresën që “presidenti francez Emmanuel Macron, në veçanti e kupton që një rezultat i suksesshëm i dialogut mund të ndodhë atëherë kur Kosova të marrë liberalizimin e vizave”.

“Për këtë shpresoj që në këtë tandem, pra të Presidencës gjermane me Këshillin Evropian dhe vullnetit politik të presidentit Macron, mund të arrihet që përfundimisht të rezultojë me dritë të gjelbër në gjashtë muajt e ardhshëm. Por, kjo është vetëm shpresë. Besoj që presioni nga ana gjermane mund të shtohet, por është e mundshme që do të na duhet të presim ende. Shpresoj që kjo nuk do të jetë shumë gjatë”, tha Viola von Cramon.

Sipas saj, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk varet më nga kriteret teknike, të cilat sipas saj, Kosova i ka përmbushur të gjitha.

Për këtë temë, ajo thotë se ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, javën e kaluar në Bruksel, i cili ka propozuar formimin e një grupi punues ndërmjet Kosovës dhe Francës. Sipas saj, kjo është ide e mirë, për shkak se nëse ekzistojnë arsye objektive dhe argumente, gjatë kohës kur Qeveria franceze ende është e ngurruese lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, atëherë ky grup punues do të jetë një instrument i mirë që të bisedohet rreth kësaj çështjeje.

Ajo gjithashtu tha se nga bisedat me kolegët në Bruksel, nuk ka arritur të kuptojë pse vendet anëtare ende nuk kanë vendosur rreth liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Le të themi, e tillë është atmosfera politike ose keqpërdorimi që e bëjnë partitë të krahut të djathtë në vendet e tyre”.

Viola Von Cramon e vlerëson si mjaft të rëndësishëm faktin që Kosova dhe Serbia e kanë vazhduar dialogun, të cilin proces ajo thotë që ka mbështetur që nga fillimi, dhe se kërkohet angazhim në këtë proces. Sipas saj, qëllimi i Kosovës duhet të jetë integrimi më i fuqishëm evropian dhe se për këtë i ka të gjitha mjetet.

“Ju keni një gjeneratë të re dhe dinamike, njerëz të arsimuar mirë që flasin disa gjuhë. Ata janë evropianë dhe i takojnë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye duhet të gjendet një mënyrë për njohje të ndërsjellë, për marrëveshjen me Serbinë. Pa këtë, as për Kosovën e as për Serbinë nuk do të ketë vend në BE”, tha Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, më 17 korrik ka vizituar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale. Ajo kishte shkruar në Twitter që ato janë “institucione të rëndësishme për sjelljen e drejtësisë në Kosovë dhe për të mbajtur përgjegjës ata individë për të cilët besohet se kanë kryer krime të luftës, pavarësisht kombësisë së tyre”.

Ndaj kësaj vizite ka reaguar, përmes një shkrimi në Twitter, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoxhaj, duke e cilësuar vizitën e Von Cramon në Hagë si ndërhyrje politike.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, eurodeputetja Viola Von Cramon thekson se vizita e saj në Hagë ishte e planifikuar më herët, por që për shkak të pandemisë së koronavirusit, ishte shtyrë.

Megjithatë, ajo thotë që Dhomat e Specializuara janë pjesë e pavarur, shumë profesionale e sundimit të ligjit në Kosovë. Sipas saj është mjaft e rëndësishme që Kosova ka miratuar formimin e këtij institucioni në kuvendin e saj, pas raportit të eurodeputetit zviceran Dick Marty, të cilin e ka publikuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në kohën kur edhe ajo ka qenë anëtare e saj.

Duke komentuar kritikat e shpeshta në adresë të Gjykatës Speciale se ajo është e njëanshme, duke i hetuar vetëm shqiptarët dhe që nuk i heton edhe krimet serbe, Von Cramon thotë që nuk i ka pyetur zyrtarët e këtij institucioni se kush po intervistohet, por shton se ekziston një rezolutë, dhe se ata kanë raportin e Dick Martyt, si dhe kanë qëllime të qarta, se pse dhe si do të punojnë, për cilat krime kërkojnë prova dhe nuk ka se për çfarë të kritikohet në lidhje me këtë.

“Ata janë profesionistë ekspertë juridikë. Të njëjtit njerëz që po bëjnë kritika, kanë votuar për gjykatën”, tha Von Cramon.

Rëndësia e Dhomave të Specializuara, siç tha ajo, është kruciale për drejtësinë dhe zbatimin e sundimit të ligjit.

“Është një shtyllë mjaft e rëndësishme. Ka pasur mjaft viktima dhe kjo i shqetëson grupet që kërkojnë drejtësi. Kjo është e rëndësishme për pajtimin, i cili është i nevojshëm. Siç e dini, gjithçka e bëjnë publike, bëjnë gjithçka që të depërtojnë deri te publiku i Kosovës”, theksoi Von Cramon.

Ajo shtoi që gjykata është në Hagë për arsye të mira dhe, siç tha ajo, “të gjithë e dinë se pse është kështu”. Por, sipas saj, ajo mbetet pjesë e legjislacionit të Kosovës.