A do të fillojë mësimi i pjesshëm në shkollat e Kosovës në shtator?

Kur ka mbetur vetëm një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor Ministria e Arsimit ende nuk e ka të qartë se si do të fillojë procesi mësimorë. Një opsion që po diskutohet e po përkrahet edhe nga SBASHK-u është rikthimi i pjesshëm në shkollë.

MASHT në një përgjigje për RTV Dukagjinin thotë se aktualisht në plan është rikthimi i nxënësve në ambientet shkollore por nuk përjashtohet as opsioni për mësim nga distanca.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës në plan të parë ka rikthimin në ambiente shkollore, dhe për këtë po bëhen përgatitje maksimale që mësimi të filloj në mënyrë të rregullt. Megjithatë, për shkak të gjendjes së pandemisë MASHT është e përgatitur që të fillojë edhe mësim alternativ (mësim në distancë) për nxënësit”, thuhet në përgjigje.

Reklama e sponzorizuar

Edhe për SBASHK-un duhet të shqyrtohet mundësia e rikthimit në ambiente shkollore qoftë edhe pjesërisht.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala thotë se për komunën më e arsyeshme shihet rikthimi i pjesshëm në shkolla.

“Mendohet se mësimi me gjysmë klase do të kishte qenë  ideale sidomos për klasat e ciklit të ultë pra klasat 1, 2, 3. Të bëhet një orar që një ditë të vijë një pjesë e klasës ndërsa ditën tjetër pjesa tjetër e klasës”, deklaroi Shpresa Shala.

Por si Komuna e Prishtinës nuk mendon edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, i cili mundësinë e rikthimit të pjesshëm në shkolla nuk e sheh si efektiv.

“Unë nuk besoj në rikthim gjysmak, rikthimi duhet të jetë i plotë ose mësimi të vazhdohet nga distanca. Në momentin kur fëmija ekspozohet ndaj ambientit shkollor atëherë është i pa arsyeshëm që mësimi të kufizohet në një orar të shkurtuar”, deklaroi Qehaja.