A e transmetojnë fëmijët koronavirusin te të rriturit?

Derisa institucionet kompetente të Kosovës janë duke vendosur për kthimin e nxënësve në shkolla, për vitin e ri shkollor, që nis në shtator, shtrohet pyetja se sa është i sigurt kthimi i nxënësve në bankat shkollore dhe se a ka rrezik të përhapjes së koronavirusit të ri nga fëmijët te të rriturit.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se kthimi i nxënësve në shkolla, do të bëhet duke respektuar rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë për mbrojtje nga përhapja e mëtejmë e koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19.


Si e shpërndajnë virusin fëmijët?

Reklama e sponzorizuar


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve janë të një mendimi: Po, personat nën 18 vjeç mund ta transmetojnë koronavirusin njësojë si të rriturit. Por, si OBSH-ja ashtu edhe Qendra Evropiane thonë se kanë regjistruar pak raste të fëmijëve të infektuar me koronavirus, dhe pak raste po ashtu, të shpërthimeve të virusit nëpër shkolla.

Sipas një raporti të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, të publikuar më 6 gusht, në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe, vetëm 5 për qind e të infektuarve me koronavirus kanë qenë fëmijë. Shumica prej tyre, thuhet në raport, nuk kanë pasur simptoma dhe infeksionin fëmijët, në shumë raste, e kanë kaluar pa vështirësi.

Por, kur fëmijët kanë pasur simptome të COVID-19, ata kanë qenë më pak të predispozuar që të hospitalizohen dhe rastet me fatalitet janë të pakta.

“Kur janë simptomatikë, fëmijët e shpërndajnë virusin në sasi të ngjashme me të rriturit dhe mund të infektojnë të tjerët, në mënyrë të njëjtë siç ndodh te të rriturit. Por, është e paqartë sesa fëmijët që nuk simptome të sëmundjes, mund të infektojnë të tjerët”, thuhet në raport.

Sëmundja COVID-19 kryesisht përhapet nga pikëzat që lëshon një person kur flet, kollitet apo teshtin. Sëmundja transmetohet edhe nga kontakti me sipërfaqet e kontaminuara. Po, ashtu ekspozimi mund të ndodhë në mjediset brenda 1 metër afër të tjerëve, nga kontakti i shpeshtë fizik me njerëzit që mund të infektohen me koronavirus.

Shpërthimi i koronavirusit në shkolla


Shpërthimi i koronavirusit në shkolla nuk është tipar i spikatur në pandeminë COVID-19. Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo ndodh për faktin se shumica e fëmijëve nuk zhvillojë simptoma të sëmundjes.

Madje edhe transmetimi i virusit nga një fëmijë në një fëmijë tjetër, është i vogël.

“Hetimet e rasteve të identifikuara në shkolla sugjerojnë se transmetimi i virusit nga një fëmijë në një fëmijë tjetër në ambiente shkollore, është i rrallë dhe ky transmetim nuk është shkaktari kryesor i infektimit të fëmijëve me virusin”, thotë Qendra Evropiane.


Për dallim nga vendet evropiane – përfshirë edhe Kosovën që mbylli të gjitha institucionet arsimore më 12 mars – Suedia dhe Islanda, i mbajtën të hapura gjatë gjithë kohës shkollat fillore dhe institucionet parashkollore. Por, këto dy vende aplikuan masat si : larjen e duarve, distancën fizike dhe nëse një fëmijë ishte i sëmurë, u tha se nuk duhet të shkojë shkollë.

Edhe pse fëmijët gjatë gjithë kohës së pandemisë shkuan në shkollë në këto dy shtete, si Suedia ashtu edhe Islanda nuk raportuan për numër të madh të të hospitalizuarve të fëmijëve të infektuar me koronavirus.

Dilemat rreth pandemisë


Por, është Izraeli që ka raportuar shpërthime të reja të koronavirusit në shkolla.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se fëmijët e kanë përjetuar sëmundjen COVID-19, kryesisht me simptoma të buta.

“Nga të dhënat e raportuara në OBSH, fëmijët dhe adoleshentët deri në 18 vjeç paraqesin 1 prej 3 për qind të rasteve të infektimeve, edhe pse kjo grupmoshë paraqet 29 për qind të popullsisë botërore”.

Megjithatë, OBSH thotë se fëmijët kur kthehen në shkolla, kanë më shumë kontakte, që rritë dhe rrezikun e infektimit.

Higjiena e duarve, mbajta e maskave dhe distanca fizike janë rekomandimet e ekspertëve për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit.
Sa i përket mbajtjes së maskave në shkolla, OBSH-ja thotë se ky rregull mund të vendoset vetëm pasi të jetë studiuar rreziku i përhapjes së virusit. Kjo organizatë thotë se duhet të merret parasysh nëse nxënësit mund të mbajnë distancë nga njëri-tjetri të paktën një metër dhe po ashtu duhet të merren parasysh edhe faktorët e tjerë, si gjendja shëndetësore e nxënësve dhe mësuesve.

“Maskat rekomandohen si preventivë për ndalimin e përhapjes së virusit në zonat publike, veçanërisht aty ku nuk mund të mbahet distanca. Kjo mund të aplikohet edhe në shkolla, në disa situata. Politika e mbajtjes së maskave duhet të jetë në përputhje me linjën kombëtare apo me këshillat që japin autoritetet lokale. E rëndësishme është që nëse dikush nuk ndihet mirë, duhet të qëndrojnë në shtëpi”, thotë OBSH-ja.

Me afrimin e datës për vitin e ri shkollor, Kosova ende nuk ka vendosur se si do të nisë viti i ri shkollor. Aktualisht janë prezantuar tri skenarë: kthimi në ambiente shkollore i nxënësve; mësimi i kombinuar dhe mësimi nga platforma të ndryshme.