Konsullata e Kosovës në Frankfurt kishte paguar 11 mijë e 794 euro për t’ia renovuar banesën me qira një punëtori të kësaj konsullate.
Rasti ka ndodhur gjatë vitit 2019 dhe është cilësuar i jashtëligjshëm nga auditorët e shtetit në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ).
“Konsullata e Kosovës në Frankfurt kishte paguar 11,794€, për kthim të objektit në gjendjen e mëhershme dhe për të mbuluar dëmet e shkaktuara për objektin që shfrytëzohej me qira, nga njëri punonjës diplomatik i këtij misioni”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas Auditorit, pagesa të tilla për renovime të objekteve të banimit nuk kanë bazë ligjore dhe si të tilla dëmtojnë buxhetin e ministrisë.
Udhëzimit Administrativ për Shpenzime Personale dhe Operacionale në Misione Diplomatike, përcakton se: “përgjegjësia për menaxhimin e kontratës së banimit është e anëtarit të personelit të misionit i cili e shfrytëzon atë objekt banimi”.
Nga MPJ, Auditori thotë se nuk kanë pranuar ndonjë arsye me shkrim, se pse janë paguar këto mjete.
“Ministri duhet të krijoj një komision i cili vlerëson se cilat nga shpenzimet e mësipërme janë bërë nga moskujdesi i diplomatit dhe për të njëjtat duhet t’i bëhen ndalesat në pagë. Në ato raste ku Ministria vlerëson se duhet patjetër të
paguajë për renovime, atëherë këtë duhet ta bëjë vetëm nëse harton akt nënligjor ku përcaktohet qartë se deri në çfarë shkalle dhe cilat shpenzime mund të konsiderohen si të domosdoshme për mbulim nga paraja publike”. /Buletini Ekonomik/