Shteti i Kosovës pagoi deri në 600% më shtrenjtë stendat në panaire ndërkombëtare

“Dy” kompanitë Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair janë paguar nga KIESA me “çmime të kripura” për ndërtimin e stendave të Kosovës për prezantim në panairet ndërkombëtare. Buletini Ekonomik ka analizuar çmimet në 13 panaire ku është prezantuar shteti i Kosovës gjatë viteve 2022-2023.

Mirjeta Shabani & Agon Sinanaj

Çmimi për ndërtim të stendave në tregun evropian nuk shkon mbi 300 euro për metër katrorë, e këtë standard e aplikojnë pjesa më e madhe e panaireve ndërkombëtare.

Mirëpo, ky nuk ka qenë çmimi në rastin e stendave të Kosovës nëpër panaire, të ndërtuara nga kompanitë kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair.

Këto “dy” kompani u angazhuan nga agjencia shtetërore për investime – KIESA për ndërtimin e stendave për Kosovën në 19 panaire ndërkombëtare gjatë periudhës 2022-2023.

Reklama e sponzorizuar

Derisa pjesa parë e hulumtimit të Buletinit Ekonomik solli dyshimet e bazuara se Kan-Construct Fair ishte themeluar si një kompani fiktive, që do t’i hapej  rruga të përfitonte qindra mijëra euro për “ndërtimin” e stendave për Kosovën në panaire ndërkombëtare, pjesa e dytë është përqendruar në “faturat e shtrenjta”, jashtë normave, që pagoi shteti i Kosovës për “dy kompanitë” kroate.

1,843 euro – m2, në vend të 300

Në 13 panaire ndërkombëtare të hulumtuara, prej 24 gjithsej ku është prezantuar Kosova gjatë viteve 2022-2023, çmimet e aplikuara për ndërtimin e stendave të Kosovës janë dukshëm më të larta se “çmimet standarde”.

Në një rast, Mirt Interijer është paguar nga KIESA – 1 mijë e 843 euro për metër katrorë, apo 600% më shumë se çmimi standard në tregun e Evropës.

Fjala është për panairin “Pro Wein 2023″, që ishte mbajtur vitin e kaluar në Berlin. Për pjesëmarrjen e pesë bizneseve të Kosovës atje, në një hapësirë të kontraktuar prej 33m2, janë shpenzuar gjithsej 75 mijë euro. Prej tyre, për rezervim të hapësirës shkuan 15 mijë euro dhe rreth 61 mijë tjera për ndërtim të stendës.

Stenda e Kosovës në panairin “Pro Wein 2023”.

Panairi “Pro Wein 2023” nuk është i vetmi. Janë edhe 12 panaire tjera të hulumtuara, ku stendat për Kosovën u ndërtuan me çmime astronomike.

Sipas çmimoreve të panaireve me renome evropiane, çmimi mesatar për metër katrorë në ndërtim të stendave nuk shkon mbi 300 euro.

Ta zëmë, te Panairi i Kolnit, që është organizator i panairit “ANUGA” ku është prezantuar disa herë edhe Kosova, çmimet për ndërtim të stendave variojnë nga 80 deri në 215 euro për metër katrorë. Maksimumi që mund të arrijë çmimi për metër katrorë këtu është 250 euro, nëse pjesëmarrësi kërkon edhe pajisje shtesë, si karrige e tavolina.

Çmim përafërsisht të njëjtë aplikon edhe panairi prestigjioz i “ISPO Munich”. Në këtë panair mund të ndërtosh stendë deri në 10 mijë euro, me të njëjtën hapësirë për të cilën shteti i Kosovës e ka paguar rreth 61 mijë euro kompaninë Mirt Interijer në panairin “Pro Wein 2023”.

Çmimet e stendave – Panairi “ISPO Munich”

Vendi i njëjtë, çmime të ndryshme

Pjesëmarrësit në panaire ndërkombëtare, për ndërtimin e stendës mund t’i drejtohen direkt panairit ku marrin pjesë, ose mund ta kontraktojnë vetë një kompani për ta kryer këtë punë.

KIESA, për të gjitha panairet ku është prezantuar Kosova gjatë viteve 2022-2023, ka vendosur për opsionin e dytë.

Buletini Ekonomik ka bërë një analizë krahasuese me disa indikatorë, duke krahasuar çmimet standarde për ndërtim të stendave në tregun evropian, me çmimet që janë paguar nga KIESA për “dy kompanitë” – Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair.

Për krahasim është marrë për bazë panairi ku është prezantuar Kosova, hapësira e kontraktuar në këto panaire nga KIESA dhe kostoja totale e pjesëmarrjes. Duke pasur koston e hapësirës dhe koston për ndërtim të stendës që KIESA ka kontraktuar për secilin prej këtyre 13 panaireve, është llogaritur se sa do të kushtonte pjesëmarrja në secilin panair, bazuar në çmimet standarde që ofrohen nga panairet ndërkombëtare prestigjioze.

Gjetjet nga kjo analizë tregojnë për dallime të konsiderueshme në çmime.

Tabela e përgatitur nga Buletini Ekonomik

Për periudhën 2022-2023, janë së paku edhe tri panaire ndërkombëtare ku stendat e Kosovës u ndërtuan me çmim mbi 1 mijë euro për metër katrorë.

Një nga ta është panairi “IFE London”, i mbajtur në Londër në muajin mars 2022. Pjesëmarrja atje, Kosovës i kushtoi hiq më pak se 144 mijë e 748 euro. Në këtë panair u prezantuan 8 kompani nga Kosova, në një hapësirë prej 90 metrash katrorë.

Për ndërtim të stendës në këtë panair, kompania Mirt Interijer u pagua gjithsej 99 mijë e 420 euro, apo 1 mijë e 104 euro për metër katrorë (90m2).

Nëse merret për bazë çmimi standard prej 300 euro për ndërtim të stendave, kostoja totale e ndërtimit të kësaj stende nuk shkon as mbi 30 mijë euro, përkatësisht 27 mijë euro për 90m2.

Kosova ishte prezantuar në të njëjtin panair edhe në vitin pasues, në muajin mars 2023. Shpenzimet për pjesëmarrje këtë herë ishin 153 mijë e 334 euro. Edhe këtu hapësira e rezervuar për bizneset e Kosovës dhe numri i kompanive pjesëmarrëse është i njëjtë me vitin 2022. Për rezervim të hapësirës këtu shkuan 47 mijë e 949 euro, kurse për ndërtim të stendës, kompania Mirt Interijer u pagua 105 mijë e 385 euro, apo 1 mijë e 170 euro për metër katrorë.

Por këto nuk janë të vetmet raste.

“Biofach – Nuremberg” është panairi tjetër ndërkombëtar, ku Kosova kishte marrë pjesë në shkurt të vitit 2023. Aty Kosova shpenzoi në total 110 mijë e 649 euro për prezantim të shtatë bizneseve kosovare. Prej tyre, 19 mijë e 894 euro u paguan për rezervim të hapësirës, kurse për stenda kompania Kan-Construct Fair u pagua gjithsej 90 mijë e 755 euro, apo 1 mijë e 120 euro për metër katrorë.

I njëjti panair, në vitin 2022 i kishte kushtuar Kosovës 60 mijë e 460 euro, me 5 kompani pjesëmarrëse, por me një hapësirë më të vogël të kontraktuar, prej vetëm 48 metrash katorë.

Buletini Ekonomik në vazhdimësi është konsultuar me ekspertë të fushës së panaireve gjatë periudhës së hulumtimit disa mujor.

Sipas tyre, aplikimi i këtyre çmimeve në këto tri panaire, nuk është i dyshimtë vetëm për faktin se është larg më i shtrenjtë nëse krahasohet me çmimet standarde të tregut, por edhe për të tjera arsye.

“Në këtë rast e kemi të njëjtën kompani që i ka ndërtu stendat gati në të gjitha panairet. Duke qenë kështu, nëse analizohen të gjitha panairet për vitet 2022-2023, stenda e Kosovës duket e njëjtë, me disa modifikime të vogla. Pra, me shumë gjasë kompania e përdorë stendën e njëjtë në secilin panair. Por, çmimet që aplikohen janë sikur stenda të ndërtohej prej fillimit në secilin panair”, ka thënë njëri nga ekspertët e konsultuar nga Buletini Ekonomik, i cili kërkoi të flasë në kushte anonimiteti.

Kjo vërehet sidomos tek panairi gjerman “Pro Wein” në të cilin Kosova ishte prezantuar me të njëjtën stendë në vitet 2022-2023. Kompania ndërtuese e stendës në të dyja rastet është Mirt Interijer. Përkundër se stenda është e njëjtë, KIESA pagoi këtë kompani sikur stenda të ndërtohej prej fillimit. Më 2023, stenda e Kosovës në panairin “Pro Wein” kushtoi 61 mijë euro, kurse një vit më herët 34 mijë e 600 euro.

Stenda e Kosovës në panairin “Pro Wein 2022”
Stenda e njëjtë në panairin “ProWein 2023”, sikurse më 2022

Eksperti ka thënë se kjo është një praktikë që përdoret, ku shtete të caktuara, e shfrytëzojnë stendën e njëjtë, për të kursyer buxhet.

“Por te rasti i Kosovës duket më ndryshe. Këtu çmimet janë shumë të larta, në secilin panair, edhe pse duket e njëjta stendë në pjesën më të madhe të panaireve. Veç nëse KIESA i ka mbuluar edhe shpenzimet për kompanitë pjesëmarrëse dhe i ka përfshirë në shpenzimet për stendë”, ka shtuar ai.

Por, zyrtarë të KIESA-s, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, e kanë mohuar një gjë të tillë. Sipas tyre, kompanitë janë prezantuar me shpenzime vetanake, por kanë përmendur vetëm disa shpenzime shtesë, që janë të papërfillshme në raport me koston totale të pjesëmarrjes në panaire.

“Paraqitja shtetërore organizohet nga MINT përkatësisht KIESA, e cila mbulon shpenzimet e hapësirës ekspozuese, ndërtimin e stendës, regjistrimin e subjekteve pjesëmarrëse, shpenzimet e energjisë elektrike, pastrimin ditor, etj., ndërsa shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, ushqimit, dërgimin e materialeve promovuese etj., të subjekteve pjesëmarrëse merren përsipër nga vet subjektet pjesëmarrëse”, thuhet në një përgjigje të KIESA-s, të datës 20 qershor 2023.

KIESA nuk është përgjigjur qartësisht se pse kompanitë e kontraktuara kroate janë paguar me çmime astronomike për ndërtimin e stendave dhe që nuk përkojnë me çmimet e tregut. Një arsyetim është se “kompanitë e kontraktuara” janë përcaktuar nga organizatori i panaireve dhe jo nga KIESA.

“Çmimet e kripura” të Parisit, Berlinit, Krakowit dhe New Yorkut

Në përgjithësi, edhe tek panairet tjera çmimet nuk dallojnë shumë. Variojnë nga 700 deri në 1 mijë euro për metër katrorë.

Ta zëmë, në panairin “Tutto Food”, i mbajtur në maj 2023 në Paris, pjesëmarrja në të – Kosovës i ka kushtuar gjithsej 131 mijë e 172 euro. Nga kjo shumë, për rezervim të hapësirës janë paguar 34 mijë e 932 euro, kurse 96 mijë e 240 euro tjera për ndërtim të stendës. Edhe këtu kompania prapa stendës është Mirt Interijer.

Sipas përllogaritjeve, për këtë panair – KIESA ka paguar 860 euro për metër katrorë, gati trefish më shtrenjtë se çmimi standard.

Ndërsa, pjesëmarrja në panairin “Fruit Logistica Berlin” që mbahet vit për vit në Gjermani, Kosovës i kushtoi mbi 242 mijë e 580 euro për dy vite pjesëmarrje. Panairi që u mbajt në muajin shkurt 2023, me 8 kompani pjesëmarrëse nga Kosova, i kushtoi KIESA-s plot 121 mijë e 159 euro dhe 121 mijë e 400 euro tjera një vit më herët.

Në të parin, KIESA e pagoi metrin katrorë për stendë 760 euro, derisa në të dytin – 852 euro.

Panairi tjetër, “SIAL – Paris”, i mbajtur në muajin tetor të vitit 2023 në Francë, i kushtoi shtetit të Kosovës 116 mijë e 266 euro. Në bazë të çmimit standard prej 300 eurove për metër katrorë, i njëjti do të mund të realizohej edhe me 51 mijë e 744 euro. Por, kompania Mirt Interijer këtu u pagua me një çmim prej 1 mijë euro për metër katrorë, në një hapësirë të kontraktuar prej 84m2.

Edhe në panairin ndërkombëtar – “ENOEXPO – Krakow”, që u mbajt në Poloni në nëntor të vitit 2022, stenda e Kosovës kushtoi gati trefish me shtrenjtë krahasuar me çmimet standarde. KIESA harxhoi mbi 100 mijë euro për pjesëmarrje në këtë panair, prej të cilave 10 mijë e 538 euro shkuan për rezervim të hapësirës, ndërsa për ndërtim të stendës kompania Kan-Construct Fair u pagua gjithsej 90 mijë e 271 euro. Çmimi për metër katrorë këtu është 921 euro.

Në panairin tjetër “ITB Berlin”, Kosova ishte prezantuar përmes shtatë bizneseve, në një hapësirë prej 36m2 më 2023. Kostoja totale e pjesëmarrjes, sipas KIESA-s, ishte 50 mijë euro, ku për ndërtim të stendës shkuan 33 mijë e 770 euro. Nëse merren për bazë çmimet standarde, stenda në këtë panair do të mund të ndërtohej edhe me 10 mijë e 800 euro.

Dhe panairi i fundit i hulumtuar është “Summer Fancy Food Show 2022” i mbajtur në New York në muajin qershor të vitit 2022, ku Kosova ishte prezantuar me tri kompani vendore. Hapësira e rezervuar ishte 27m2, me një çmim prej 482 eurove për m2. Kostoja totale e pjesëmarrjes në këtë panair, sipas KIESA-s, është 35 mijë e 300 euro. Vetëm stenda këtu ka kushtuar 23 mijë e 500 euro, apo 870 euro për m2.

Sipas të dhënave të siguruara nga KIESA, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, në total, pjesëmarrja në këto 13 panaire shtetit të Kosovës i kushtoi gjithsej 1 milionë e 256 mijë e 529 euro. /Buletini Ekonomik/