Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se ka nisur realizimi i rotacionit për personelin diplomatik dhe konsullor, sipas konceptit “një në shërbim, një në ministri”. Të mërkurën, ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ka njoftuar se për të realizuar këtë rotacion në MPJD do të kthehen më shumë se 50 anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor, ndërsa do të nisin shërbimin më shumë se 30 anëtarë të Shërbimit të Jashtëm.
Në një njoftim të MPJD-së bëhet e ditur se në këtë ministri do të kthehen diplomatë të cilët kanë përfunduar mandatin e tyre të rregullt 4-vjeçar dhe ata që për më shumë se tetë vjet s’janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në ministri.
Ndërkaq për anëtarët që do të nisin shërbimin, MPJD-ja ka thënë se bëhet fjalë për “zyrtarë të karrierës të cilëve për më shumë se 11 vite nuk iu është dhënë mundësia për të shërbyer jashtë vendit”.
“Kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se nga këta profesionistë, me përvojë në fushat përkatëse, që do të ushtrojnë funksionet në çështjet diplomatike dhe konsullore, ka kërkuar të ushtrojnë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.