Publikohet ligji për pandeminë, këto janë të gjitha masat dhe gjobat për shkelësit

Është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi Ligji për Pandeminë që është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, raporton Gazeta Express.

Në këtë ligj parashihet rregullimi i anës ligjore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Në këtë ligj janë të saktësuara edhe gjobat me të cilat do të dënohen qytetarët në rast se veprojnë ndesh me ligjin.

Reklama e sponzorizuar

Me 500 euro gjobë do të dënohet personi që nuk e respekton vendimin për kufizim të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar.

Në ligj thuhet tutje se drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro.

Ai person që nuk e  respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro.

“Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro”, thuhet tutje.

Me nga 35 euro gjobë do të dënohen edhe ata persona që nuk mbajnë maska, apo nuk respektojnë distancën fizike.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro”.

Në ligj janë të parapara edhe dënime për personat që kryejnë aktivitete që janë të ndaluara në mjedise private dhe publike.

Me 2 mijë euro gjobë dënohet personi që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me 2000 euro.

“Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit. Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro”, thuhet tutje.

Kushdo që është i dyshuar apo konfirmuar me COVID 19 mund të dënohet në rast se nuk e respekton izolimin dhe karantinën.

“Personi i cili ka obligim të izolohet apo karantinohet për afatin e përcaktuar kohor nga organi kompetent si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19 dhe nuk i zbaton urdhrat e dhënë nga organet kompetente dënohet me gjobë: 1.1. Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim; 1.2. Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro”.

Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej 150 euro, ndërsa, personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej 150 euro.

Me nga 500 euro ndërkaq do të dënohen të gjithë ata persona që në mënyrë legale hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk e deklarojnë vendin e origjinës nga vijnë.

“Personi i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë legale dhe nuk deklaron vendin e origjinës prej nga vjen si dhe nuk vepron sipas udhëzimeve të organeve kompetente ose refuzon ti nënshtrohet masave të kontrollit të detyrueshëm mjekësor dhe izolimit apo karantinimit dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro. 2. Personi i cili ka hy në mënyrë ilegale në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk deklarohet si dhe nuk iu nënshtrohet masave të detyruara të kontrollit mjekësor dhe izolimit apo karantinimit të obligueshëm dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si masë shtesë përpos masave ligjore për kalim ilegal të kufirit të paraparë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në këtë ligj./

https://drive.google.com/file/d/1BNCb7LgjEgouI-LAoDVTa96Yao51pFbT/preview