Ndonjëherë, nevojiten shumë përpjekje për të marrë vëmendjen e një punëdhënësi, duke filluar nga hulumtimi i kompanisë e deri tek përgatitja e CV-së, letrës motivuese dhe dokumenteve të tjera të nevojshme.
Nëse një punëdhënës ju fton për një intervistë, kjo do të thotë që i ka pëlqyer aplikacioni juaj. Prandaj, edhe përgjigjes tuaj duhet t’i kushtoni vëmendje. Ja disa hapa që mund t’i ndiqni për t’u përgjigjur në mënyrë profesionale.
1. Përgjigjuni shpejt
Pasi të keni aplikuar diku për punë, kontrolloni herë pas here emailin tuaj. Shumë prej emails përfundojnë në “spam” dhe mund të mos arrini t’i shihni. Pasi të keni marrë ftesën për intervistë, ju duhet të përgjigjeni në të njëjtën ditë ose ditën tjetër të punës. Prandaj, kontrolloni shpesh emailet, dhe bëni zakon të kontrolloni në spam.
Një përgjigje e shpejtë tregon se ju jeni të përgjegjshëm dhe vërtetë të interesuar për rolin që ofrohet. Nëse e lini të përgjigjeni pas disa ditësh apo një jave, mund të mos e keni më mundësinë ta merrni atë rol.
Për t’iu përgjigjur një ftese për intervistë, ndiqni hapat më poshtë:
- Filloni emailin duke falënderuar punëdhënësin për ftesën për intervistë
- Nëse jeni të interesuar për rolin, siguroni që do të jeni pjesëmarrës
- Nëse nuk jeni, me respekt refuzoni intervistën dhe tregoni shkurt një arsye
- Mos përdorni emojis apo zhargon
- Mbani profesionalizmin dhe një ton pozitiv
2. Konfirmoni pjesëmarrjen
Data dhe ora, në shumë raste mund të jenë propozim i punëdhënësit. Kësisoj, në përgjigjen tuaj, konfirmoni punëdhënësit nëse do të jeni aty ose jo. Në rast se nuk mund të jeni i/e pranishëm, jepni disa opsione të tjera dhe pyesni nëse opsionet e propozuara mund të jenë të përshtatshme edhe për të.
Në rast se intervistën do ta mbani online, nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme, verifikoni se kush do ta fillojë thirrjen dhe nëpërmjet cilit aplikacion do ta mbani intervistën, në mënyrë që ta instaloni aplikacionin e caktuar para takimit.
Në vijim, ju sjellim disa shembuj të emails që mund t’i dërgoni pasi ta keni marrë një ftesë për intervistë.
Përshëndetje i/e nderuar (shkruani emrin e personit që po i drejtoheni)
Fillimisht, ju falemnderit shumë që më keni ftuar në intervistë për pozitën e punës (cekni emrin e pozitës) në kompaninë (shkruani emrin e kompanisë).
Dita dhe ora që keni propozuar më përshtaten dhe patjetër që do të jem e pranishme / i pranishëm. Jam shumë i/e lumtur të takohem me ju dhe ekipin tuaj dhe të diskutojmë se si do të mund të kontribuoja në kompani.
Në ndërkohë, ju lutem më njoftoni nëse ju duhen informacione shtesë.
Çdo të mirë,
(Në fund shkruani gjithmonë emrin tuaj)
Në rast se punëdhënësi e ka caktuar një ditë dhe një orë e cila nuk ju përshtatet assesi, shkruani diçka ngjashëm si ky email:
Përshëndetje i/e nderuar (shkruani emrin e personit që po i drejtoheni)
Fillimisht, faleminderit shumë që më keni ftuar në intervistë për pozitën e punës (cekni emrin e pozitës së punës) në kompaninë (shkruani emrin e kompanisë).
Për shkak të disa angazhimeve shumë të rëndësishme tek puna e tanishme, nuk e besoj që do të mund të marrë pjesë në intervistë në kohën që keni propozuar (ose specifikoni si: të enjten me datë 15 korrik, ora 11:00). (Cekni një arsye pse nuk mund të shkoni në atë orar).
A kemi mundësi të takohemi të nesërmen, me datë 16 korrik, në orën 11:00 apo çfarëdo kohe gjatë ditës?
Nëse është e pamundur, a mund t’i propozoni disa opsione të tjera ju lutem dhe do të mundohem të jem i/e përpiktë në orarin që keni caktuar.
Sinqerisht,
(Në fund shkruani gjithmonë emrin tuaj).