Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka anuluar tenderin për furnizim me boca të oksigjenit, një ditë pasi KOHA raportoi se këtë tender e kishte fituar një kompani e cila dyshohej se kishte prodhuar jashtëligjshëm gaz mjekësor, që dyshohej se ishte shkaktar për vdekjen e katër pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës më 2017.
“Bubeari Komerc” kishte fituar tenderin më 11 gusht në vlerën prej gati 10 mijë eurosh për furnizim me 45 boca oksigjeni për rastet me COVID-19 në Spitalin e Ferizajt.
“Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt njofton se ka anuluar tenderin për furnizim me boca të oksigjenit, të parapara si boca rezervë në rast të përkeqësimit të situatës. Këto boca nuk janë liferuar pas konsultimit me SHSKUK-në, e cila do të kryejë shumë shpejt procedurat e prokurimit për furnizim me boca për të gjitha spitalet. Gjithashtu, ju njoftojmë se ky tender ka qenë për boca dhe jo furnizim me oksigjen, siç është raportuar në disa media. Spitali i Ferizajt furnizohet me oksigjen nga kompania Medical Group dhe operatori i dyte Medica, me të cilat ka kontratë SHSKUK”, thuhet në sqarim të SHSKUK-së.
Dyshimet e hetuesisë për rastin e 2017-s ishin që gazi mjekësor, me të cilin kompania e pati furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte shkaktar i vdekje së katër pacientëve në QKUK. Pronari i kompanisë, Naser Guri, ishte arrestuar. Inspektorati Shëndetësor me asistencën e Policisë së Kosovës e pati inspektuar këtë kompani. Raporti i tyre pati konstatuar se kjo kompani ilegalisht ka prodhuar gazin mjekësor, gaz i cili është përdorur në spitalet e Kosovës. Atëkohë QKUK-ja pati marrë vendim që t’ia shkëpuste kontratën kësaj kompanie.